Lajme

Mustafa pyet Kurtin: Pse s’u shkarkua Goran Rakiç-i si Agim Veliu?


Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka pyetur kryeqeveritarin aktual Albin Kurtin se pse nuk pati guxim ta shkarkoj ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, i cili e ka kundërshtuar publikisht, por nuk kishte hezituar ta shkarkoj ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun në vitin 2020, në qeverinë Kurti 1.

“Pse këto parime ai nuk i zbatoi në zotin Rakiç, me ministrin nga komuniteti serb, i cili jo vetëm që ka kundërshtuar, por ka qëndruar haptas kundër qeverisë dhe Kurti nuk ka marrë asnjëherë guxim që atë ta shkarkojë nga opozita e ministrit. Çfarë ka bërë Agim Veliu me Rakiçin? Mua më vjen keq që i krahasoj, mirëpo Agim Veliu ka folur si mund të shkarkohet një ministër për shkak të një qëndrimi verbal”, tha Mustafa gjatë një interviste te Çim Peka në TV Syri.

Për Mustafën është e i pa pranueshëm “mos guximi i Kurtit” për ta shkarkuar një ministër serb i cili i ka kundërshtuar vazhdimisht veprimet e qeverisë aktuale.

“Do të ishte shkarkuar edhe zoti Rakiç po të kishte një qëndrim të tillë edhe zoti Kurti, por nuk e ka bërë. Për mua është totalisht e papranueshme që të shkarkoj për një deklarim verbal një ministër shqiptar e mos të shkarkoj një ministër serb për kundërshtim të vendimeve dhe veprimeve të qeverisë”.

Ndryshe nga Kurti, Mustafa thotë se e kishte pasur guximin ta shkarkoj një ministër serb në vitin 2015.

“Unë e kam shkarkuar ministrin Jabllanoviç në vitin 2015, e kam thirr dhe i kam thënë, a po jep dorëheqjen sepse klima është e tillë dhe ty nuk durojnë të vazhdosh edhe më tutje si ministër për shkak të deklaratave që ke dhënë ndaj nënave”, shtoi ai.

Ai tregon se nuk ishte kthyer prapa edhe pse ishte njoftuar se do të ketë shumë reagime kundër këtij vendimi.

“Caktova një ministër tjetër dhe e kam shkarkuar edhe ministrin tjetër pas tij për shkak të deklaratave që kanë dhënë në komuna në veri të vendit. Aty ka pas disa kërcënime të vogla se ‘ne do dalim’ por nuk kanë dalë”, shtoi Mustafa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore