Kosova

Mustafa kërkon nga Murati ta publikojë pagën e tij për muajin shkurt


Besian Mustafa dhe Hekuran Murati.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, ka sfiduar ministrin e Punës Financave dhe Transfereve Hekuran Murati, që ta publikojë pagën që e ka marrë për muajin shkurt.

Mustafa përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka publikuar pagën e tij të shkurtit të vitit 2021, kur ishte ministër i Bujqësisë.

“E sfidoj Hekuran Muratin ta publikojë pagën e tij për muajin shkurt 2023! Paga ime e ministrit për muajin shkurt 2021 ka qenë 1.208,42 euro. Shihni SMS që kam pranuar nga banka. Hekuran, sa qindra euro ja ke rritë pagën vetes?!”, ka shkruar Mustafa.

Me Ligjin e Pagave, koeficienti i ministrave është 16.4. Vlera e keficientit është 105. Pra, paga bruto është 1722 euro bruto, e neto 1494.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me 4 janar e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore