Lajme

Musliu-Muratit: Ju jeni kot


Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe deputetja nga PDK-ja Ganimete Musliu.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu pas fjalimit të ministrit të Punës, Transfereve dhe Financave, Hekuran Murati ka thënë se “ministër edhe njëherë sapo dëshmove që ju jeni kot”.

Sipas Musliut, qeveria aktuale nuk e ka idenë se me çka po përballen qytetarët e Kosovës.

“Ju se keni idenë se si qeverisët, ju të vetmen gjë që keni bërë në parandalimin e ikjes së qytetarëve është që i keni penalizuar duke mos i pajisur me pasaporta. Thjesht, ju keni ndalur të drejtën qytetarëve të Republikës së Kosovës të drejtën e tyre bazike që të pajisen me pasaporta vetëm për ta ndalur fluksin e ikjeve nga Kosova të njerëzve të trishtuar nga qeverisja juaj”.

“Nuk mundeni me mbulu diellin me shoshë. Një kryeministër që nuk e sheh vendin e vet të denjë për ta rritë fëmijën e tij ai nuk mund ta ndalë largimin nga Kosova”.

Ajo madje ka përmendur edhe rastin e Martin Berishaj.

Musliu, theksoi se Qeveria Kurti është angazhuar duke e ruajtur vetëm ambasadorin Berishaj

“Ju nuk dini me ruajt asgjë, krejt çka dini me ruajt është Martin Berishaj. Prandaj jeni çuar në këmbë i madh dhe i vogël me ruajt Martin Berishajn, sepse ai është thesar për juve. Ju nuk dini me çka përballen qytetarët dhe as çka përjetojnë sepse ju jeni dëshmuar që e keni shkëputur komunikimin edhe me deputetët e juaj”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka akuzuar opozitën se në kohën kur ishte në qeverisje e kishte sjellur qytetarin në gjendjen për ta shitur votën 20 euro.

“Me gjithë këto kriza jemi vendi që kemi dalë më së miri në rajon. Si shtet, si Qeveri kemi marrë të gjitha masat e mundshme që kanë qenë në dorën tonë. Kemi arritur të çojmë buxhetin e Kosovës në 3.6 miliardë euro. Të gjitha këto të mbledhura shkojnë në mbështetje të atyre që kanë nevojë”.

Sipas tij, mbështetjen e qytetarëve e kanë pasi kanë dëshmuar që nuk janë të korruptuar.

“E kemi pakon mbështetëse më të madhe në rajon dhe megjithatë kemi arritur të ruajmë stabilitetin fiskal. Janë mbi 100 milionë euro investimeve vetëm në kapacitete prodhuese. Janë mbi gjysmë miliardi euro investime të kontraktuara në sektorin e energjisë, ku mbi gjysma e tyre janë grante. Si qeverisje kemi dëshmuar që nuk jemi të korruptuar dhe natyrisht mbështetja nuk mungon”, ka thënë Murati.

Opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar qeverisjen aktuale që nuk është duke bërë përpjekje për ndalimin e popullsisë nga vendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore