Aplikacione

Musk mund të kërkojë ofertë më të ulët për Twitter-in, shkak llogaritë e rreme


Elon Musk ka sugjeruar se mund të kërkojë të paguajë një çmim më të ulët për Twitter-in, pasi është i shqetësuar për praninë e llogarive të rreme në platformë.

Për të, ulja e ofertës së tij të rënë dakord prej 54,20 dollarë për aksion nuk do të ishte “jashtë diskutimit”, disa ditë pasi e vuri “në pritje” marrëveshjen prej 44 miliardë dollarësh.

Dhe se arritja e marrëveshjes varej nga përgjigjja e Twitter-it ndaj shqetësimeve të tij për llogaritë e rreme.

“Jam ende duke pritur për një lloj shpjegimi logjik për numrin e llogarive të rreme ose të padëshiruara në Twitter. Dhe Twitter-i po refuzon të na tregojë. Kjo duket e çuditshme”, ka thënë ai.

Kaherë, platforma ka deklaruar në rezultatet e veta tremujore se më pak se pesë për qind e përdoruesve janë llogari të padëshiruara ose false.

Por, për Musk-un, kjo shifër do të konsiderohej goxha gabim nëse del që llogaritë e rreme në Twitter arrijnë shumë më tepër se pesë për qind.

Nga ana tjetër, avokatët janë në dilemë për largimin e tij nga marrëveshja ose nëse ai kërkon një marrëveshje të re me një çmim më të ulët.

Marrëveshja përfshin një dëmshpërblim prej një miliard dollarësh nëse Musk-u heq dorë.

Po ashtu Twitter-i mund të miratojë një klauzolë që mund ta detyrojë atë ta përmbushë marrëveshjen me 54.20 dollarë për aksion.

Ndërkohë, marrëdhënia e tij me menaxhmentin e Twitter-it ka arritur në një nivel të ri pas një postimi ofendues drejtuar shefit ekzekutiv të platformës.

Me këtë, Musk-u iu përgjigj një postimi të detajuar në Twitter të postuar nga Parag Agrawal mbi politikën e kompanisë për llogaritë e padëshiruara.

Sepse ai nuk bie dakord me pesë përqindëshin e llogarive të rreme.

Megjithatë, Agrawal ka shpjeguar se trajtimi i llogarive të rreme është një proces dinamik që kërkon luftimin e aktorëve “të sofistikuar dhe të vështirë për t’u kapur”.

“Sfida e vështirë është se shumë llogari që duken të rreme sipërfaqësisht janë në fakt të vërteta. Dhe disa nga llogaritë e padëshiruara, të cilat janë më të rrezikshmet, mund të duken krejtësisht të ligjshme në sipërfaqe”, ka shtuar ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore