Lajme

Musk dhe formimi i Këshillit të Minierave Bitcoin për konsumimin e energjisë


Bitcoin dhe kriptovalutat e tjera ranë në fillim të këtij muaji, pasi drejtori ekzekutiv i kompanisë së automjeteve elektrike Tesla, Elon Musk, tha se “kompania e tij nuk do të pranonte Bitcoin-in si pagesa për të blerë automjetet e saj”.

Kjo, për shkak të sasisë së madhe të energjisë që kërkohet për ta minuar atë. Por, Musk mund të ketë ndryshuar mendim.

Të hënën, Elon Musk shkroi në median sociale Twitter se kishte komunikuar me personat që minojnë Bitcoin në Amerikën e Veriut dhe ata “u zotuan të përdorin energjinë e rinovueshme”.

Ai shtoi se këta persona do t’u kërkojnë edhe rivalëve të tyre globalë të bëjnë të njëjtën gjë, një zhvillim të cilin e quajti “potencialisht premtues”.

Çmimet e Bitcoin janë stabilizuar pak ditët e fundit dhe tani po luhaten rreth 37 mijë dollarë për njësi. Por kjo është shumë larg nivelit më të lartë të të gjitha kohërave, mbi 60 mijë dollarë, arritur muajin e kaluar.

Çmimet e kriptove të tjera kryesore, si Ether, monedha Binance, Cardano, Ripple dhe Dogecoin, gjithashtu ranë në javët e kaluara.

Pas gjithë kësaj, komentet e Musk rritën aksionet e disa ndërmarrjeve kryesore të minierave Bitcoin, të cilat zotërojnë pajisje të nivelit të lartë të përdorura për të zgjidhur enigmat matematikore komplekse për të gjeneruar Bitcoin-ë të ri.

Aksionet e Riot Blockchain, Marathon Digital Holdings dhe Hive Blockchain, u ngritën më shumë se 10%.

Michael Saylor, CEO i firmës softuerike MicroStrategy, i cili zotëron një pjesë të konsiderueshme të Bitcoin-ëve në bilancin e saj dhe ka vazhduar të blejë më shumë pasi çmimet ranë, tha se ai ndihmoi në rregullimin e takimit midis Musk dhe personave që minojnë Bitcoin.

Saylor përmendi në mënyrë specifike Riot, Marathon dhe Hive, si dhe pesë kompani minimi të tjera, duke theksuar se ata “kanë rënë dakord të formojnë Këshillin e Minierave Bitcoin për të promovuar transparencën e përdorimit të energjisë dhe për të përshpejtuar iniciativat e qëndrueshmërisë në të gjithë botën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore