Lajme

Murphy: Serbia të mos e pengoj Kosovën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare


Senatori amerikan Chris Murphy

Senatori amerikan nga radhët e Demokratëve, Chris Murphy, në një deklaratë për media ka kërkuar nga Serbia që të ndaloj fushatën e saj kundër Kosovës që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është shprehur optimist se marrëveshja e Ohrit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë do t’i zgjidh problemet.

“Jemi shumë të lumtur që po e shohim marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen e ndërsjellët të dokumenteve zyrtare. Por, edhe hapave të vështirë që duhet të ndërmerren nga të dyja palët, Serbia duhet të ndaloj të pengoj Kosovën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”.

Për raportet Kosovë-Serbi, ai ka thënë se kjo marrëdhënie vazhdon të jetë e fuqishme dhe sipas tij “është jetike”.

“Kjo aleancë, kjo marrëdhënie bilaterale është e fuqishme, e qëndrueshme dhe është jetike. Kur SHBA-ja, ka nevojë për ndihmë njëra ndër thirrjet e para janë tek miqtë tonë në Kosovë. Nuk është koincidencë që Kosova është njëra ndër vendet e para që ngritët në këmbë dhe ka deklaruar që agresioni i Vladimir Putin, nuk mund të pranohet”.

Murphy, theksoi se Kosova ka ofruar ndihmë në rastet kur SHBA-të kanë pasur nevojë për miqtë e tyre.

“Dhe nuk është koincidencë që kur SHBA-të kanë nevojë për të evakuuar aleatet tanë nga Afganistani, Kosova ka treguar vetën duke ndihmuar. Pra, nuk është rastësi që po e fillojmë rrugëtimin tonë me partnerët tonë në Prishtinë”.

Ai ka potencuar se e vlerësojnë fokusimin e ekzekutivit në luftimin e sundimit të ligjit dhe rritjes ekonomike.

“E çmojmë shumë edhe vëmendjen që Qeveria po ia kushton sundimit të ligjit dhe rritjes ekonomike në një rajon që ka vend. Kjo Qeveri e ka bërë të qartë që luftimi i korrupsionit do të jetë në qendër të saj dhe natyrisht që jemi këtu për t’u siguruar që SHBA-të do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta mbajtur Kosovën në këtë Kosovë”.

Vizita e senatorëve amerikanë në rajonin e Ballkanit Perëndimor bëhet me qëllim për të përcjellur mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për aleatët e saj në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe implikimeve për sigurinë evropiane në rajon.

Për Murphyn, kjo është vizita e tij e katërt në Kosovë.

Ai qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë edhe vitin e kaluar, më 21 prill.

Atë kohë, në një konferencë për medie, ai kishte thënë se “koha që Kosova të anëtarësohet në NATO, është tani”, pasi që sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po investojnë kaq shumë për sigurinë e Evropës, Ballkanit e në veçanti të Kosovës, pasi që sipas tij në Ballkan askush tjetër nuk ishte më shumë përkrahës ndaj sanksioneve të Rusisë, sesa Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore