Sport

Muriqi gati të bëjë prapakthim


Aventura e kosovarit, Vedat Muriqi, tek ekipi i Lazio-s në Serinë A italiane nuk po shkon siç duhet. Lacialët janë gati ta kthejnë përsëri tek Fenerbahçe sulmuesin, por në formën e huazimit deri në fundin e sezonit.

Muriqi u transferua tek Lazio, në shtatorin e këtij viti për diçka më shumë se 18 milionë euro, por me paraqitjet e tij të dobëta në fushën e lojës, nuk i justifikon paratë e shpenzuara për të.

Në Serie A, Muriqi numëron gjashtë prezenca, ku ka luajtur në total 249 minuta, pa lënë gjurmë, gjithashtu edhe në Ligën e Kampionëve, ka katër prezenca, 125 minuta në total dhe as këtu nuk ka mundur të lërë gjurmë.

Për shkak të një tërheqje muskulare, Muriqi ka munguar në shtatë ndeshje me ekipin, ndërsa një ndeshje tjetër ka munguar si shkak i infektimit me Covid-19.

Performanca e Muriqit në Serie A nga Whoscored vlerësohet me notën 6.17, ndërsa ajo në Ligën e Kampionëve me 6.12.

Duket qartë forma jo e mirë e gjigandit kosovarë, të cilin Igli Tare, e kërkoi me ngulm te Lazio, ndërsa tani pritet të dërgohet përsëri te Fenerbahçe, për të rigjetur formën e dikurëshme, prej një bomberi dhe të jetë përsëri në dispozicion të Lazio-s në parapërgatitjet e sezonit të ri futbollistik 2021/22./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore