Lajme

Muri kufitar i Trump-it ka rezultuar në rritje të lëndimeve dhe vdekjeve të emigrantëve


Muri kufitar “i padepërtueshëm” i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka rezultuar në rritje të vdekjeve të emigrantëve dhe lëndime nga rënia.

Të paktën kështu ka rezultuar nga një studim i fundit që ka analizuar efektin e barrierave të reja në një spital në Kaliforninë Jugore.

Nën qeverisjen e Trump-it, vendi zëvendësoi mbi 400 milje barriera ekzistuese me një mur çeliku afro dhjetë metra të lartë dhe ka shtuar gati 50 milje barrierë të re.

Lëvizje që u bë nën premtimin për të siguruar kufijtë e Amerikës.

Por muri ka qenë larg premtimit të tij për të qenë “i padepërtueshëm” pasi kontrabandistët e kanë shkelur atë mbi tre mijë herë që nga ndërtimi.

Paçka se për Trump-in muri nuk mund të ngjitej, emigrantët kanë vazhduar të ngjiten, duke u përballur me një rrezik të madh.

Muajin e kaluar, një grua ndërroi jetë teksa po përpiqej të ngjitej në mur në Arizonën Lindore pasi këmba e saj u bllokua në një parzmore ngjitjeje dhe ajo mbeti e varur me kokë poshtë.

Sakaq, studimi ka zbuluar rritje të paprecedentë të numrit të rënieve nga muri kufitar në qarqet San Diego dhe Imperial.

Ky raport është një nga përpjekjet e para për të llogaritur efektet e murit të Trump-it mbi emigrantët, pasi zyrtarët federalë nuk i gjurmojnë vdekjet dhe lëndimet që lidhen me rëniet nga barriera.

Qendra e traumës në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, u përball me një rritje pesëfish në numrin e njerëzve të pranuar me lëndime prej rënies.

Nga 67 raste midis viteve 2016 dhe 2018 në 375 raste midis viteve 2019 dhe 2021.

Përgjatë të njëjtës periudhë, numri i vdekjeve ka pësuar rritje nga zero në 16, sipas raportit.

Referuar mjekëve të traumës, rritja e lëndimeve lidhet me rritjen e lartësisë së murit kufitar.

Mjekja Amy Liepert e ka quajtur këtë “një krizë të shëndetit publik që po ndodh tani”.

Ajo ka zbuluar se shumica e pacientëve që trajtoi spitali kishin “lëndime të rëndësishme të trurit dhe fytyrës ose fraktura komplekse të ekstremiteteve ose shtyllës kurrizore”.

Dhe se shumë prej tyre kërkonin “kujdes intensiv”.

Për shkak se pacientët nuk kishin sigurim shëndetësor, ata nuk ishin të përshtatshëm për qendra rehabilitimi ose terapi fizike dhe kishin qëndrime më të gjata në spital.

Sipas studimit, kostot e rritjes së pacientëve ishin më shumë se 13 milionë dollarë dhe kanë rënduar më tej qendrën e traumës, pasi ajo u përball me rritjen e rasteve të COVID-it.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore