Lajme

Murati: S’e kam të qartë pse po kërkohet pezullimi i vendimit për tatimin në pronë


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, se nuk e ka të qartë pse është e nevojshme të propozohet një rezolutë nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e tatimit në pronë.

Pasi sipas tij Ministria të cilën ai e po e drejton shumë shpejtë do ta sjellë “projektligjin që synon përmirësimin e situatës për vitet e ardhshme, pra të ndryshohet ligji ekzistues për tatimin në pronë, ndërsa për vitin 2023 të mundësoj lehtësimin e barrës për qytetarët”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, përmes një rezolute ka kërkuar nga Ministria e Financave ta pezullojë vendimin për rivlerësimin e pronave në atë mënyrë që faturat për tatimin në pronë të llogariten sipas vlerësimit paraprakë.

Prezantimin e kësaj rezolute para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e ka bërë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Kjo është plotësisht e realizueshme dhe nuk ka asnjë ndikim negativ te komunat, sepse buxhetet e komunave janë të planifikuara me ngarkesat e vjetra tatmiore të tatimit në punë”, ka thënë Hoti fillimisht.

Megjithatë sipas Muratit, Hoti ka thënë disa të pavërteta lidhur me këtë temë.

Sipas Muratit, e pavërteta është se Qeveria ka marrë vendim për rritjen e tatimit në pronë.

“Tatimi në pronë, pra vlera e faturës së tatimit në pronë vjen nga dy komponentë, komponenta e parë është vlera e pronës dhe komponenta e dytë është shkalla tatimore. Sa i përket komponentës së parë, vlerës së pronës, ligji për tatimin në pronë që është në fuqi e obligon Ministrinë e Financave, të bëjë vlerësimin, sipas çmimeve të tregut”.

“Çështja e dytë, shkalla tatimore, ligji i obligon Komunat të përcaktojnë shkallën tatimore. Tash në këtë ligj është përcaktuar afati kur duhet bërë vlerësimin nga ana e Ministrisë së Financave dhe po ashtu është caktuar pragu nën të cilin komunat nuk mund të bien. Ky ligj ka qenë në fuqi, as nuk e kemi marrë vendim ne e as nuk e ka kaluar kjo legjislaturë”.

LDK-ja kërkon nga Ministria e Financave pezullimin vendimit për tatimin në pronë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore