Lajme

Murati pyet Kurtin: Si do ta bëjë bashkimin kombëtar?


Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati ka reaguar, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se do të votonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nëse do të organizohej një referendum demokratik e paqësor në të ardhmen.

Kurti duhet që të tregojë se si bëhet bashkimi, e jo për veprimet e tij “në rast se” ndodhë një referendum i mundshëm ka pyetur Murati.

“Kryeministri Kurti për të satën herë prej që është bërë kryeministër deklaron se në rast të një referendumi ai do të votonte për bashkim me Shqipërinë”.

“Në të vërtetë kryeministri do të duhej të na tregonte se çfarë hapash do të ndërmarrë ai për të mundësuar organizimin e një referendumi të tillë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Gjithashtu lideri i Lëvizjes për Bashkim nuk e ka lënë pa ia rikujtuar kryeministrit se bashkimi me një shtet tjetër është i ndaluar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Po ia rikujtoj kryeministrit se bashkimi është i ndaluar me Kushtetutën e Kosovës; se ndryshimi i kushtetutës është i kushtëzuar me votën e 2/3 të deputetëve të pakicave (përkatësisht së paku nja katër deputetë të Listës Serbe do të duhej të votonin për ndryshim); si dhe se referendumi për ndryshimin e kushtetutës po ashtu nuk lejohet me këtë kushtetutë”, ka shkruar ai.

Albin Kurti

Kryeministri Kurti për revistën online “Monocle” të shtunën ka thënë se është për bashkim kombëtar.

“Vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa sa ishte në opozitë, Kurti kishte bërë fushatë të gjatë ndër vite për bashkim kombëtar, ku kishte akuzuar subjektet politike që ishin në pushtet se nuk po punojnë për bashkimin kombëtar, por vetëm për interesat e tyre dhe se nuk po e ndërrojnë nenin 1.3 të Kushtetutës.

Madje në Programin e Lëvizje Vetëvendosje, në pikën shtatë thuhet ndër të tjera se “Ne angazhohemi për heqjen e nenit 1.3 që ia ndalon të drejtën Kosovës që të bashkohet me një shtet tjetër, përkatësisht me Shqipërinë”.

Në program të LVV-së gjithashtu thuhet se ky subjekt politik angazhohet që Kosova të përkufizohet në Kushtetutë si shtet i shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës.

Madje në po të njëjtën pikë të statutit thuhet se nuk do të mungoj angazhimi edhe për kthimin e simboleve kombëtare shqiptare për shtetin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore