Lajme

Murati kërkon falje: E pranoj që gjuha ka qenë e gabuar, unë përulem para ushtarit të UÇK-së


Hekuran Murati

Hekuran Murati ka kërkuar falje për statusin e tij të vitit 2016.

Ministri i Financave, atëherë shkruante se “lufta ka zgjatur vetëm tre muaj” dhe se “më mirë do ishte të paguanim mercenarë sesa t’u japim pensione veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Por, me një postim në Facebook, pasditen e 1 korrikut, ai ka bërë të qartë se nuk mendon ashtu dhe se thjesht ndihej i mllefosur me situatën e atëhershme.

“I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është qëndrimi im”, shkruan ai.

Më tej, ai shpjegon se, “shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve”.

Në fund, Murati pohon se “e pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”.

Hekuran Murati në 2016: Kosova më mirë të angazhonte mercenarë për t’u çliruar, veteranët po na kushtojnë shumë

Nga një përllogaritje që kishte bërë Hekuran Murati në vitin 2016, aktualisht ministër i Financave, i kishte rezultuar që Kosovës më lirë do t’i kushtonte të angazhonte mercenarë për ta çliruar Kosovën, sesa çlirimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai, derisa kishte kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës, kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.

Madje, shkruan ai, “edhe mercenar me pas angazhu na kish dalë më lirë”.

“Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsejtë. Edhe as faleminderit s’kish pas nevojë me iu thanë”. Shkruante atëherë Murati.

Ai, përkundër se në opozitë, hallin e kishte te pagesat e shumta që shteti po duhet t’ua bëjë veteranëve si pension për kontributin në luftë.

“Përderisa pagesa për veteranët po do me kalu 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK është veç 45 milionë. Për vitin 2017 dhe 2018 shkon t’u ra madje, 44.8 milionë dhe 44.6 përkatësisht”.

Murati tani është ministër i Financave dhe njëri nga më të zëshmit që pensionet për veteranët nuk duhet të përfshihen në ligjin për pagën minimale.

Aktualisht veteranët marrin 170 euro, derisa paga minimale pritet të arrijë në 250 euro.

Kryeministri Albin Kurti e ka thënë, në më shumë se një rast, se veteranët nuk e meritojnë pagën minimale.

Pas kritikave, ai është shprehur se veteranët mund të meritojnë edhe më shumë, porse një herë duhet të pastrohen listat, sepse nuk janë 60 mijë veteranë, ashtu siç aktualisht është numri zyrtar, por janë më së shumti rreth 20 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore