Lajme

Murat Jashari shpallet fajtor për tentim vrasje të Azem Vllasit dhe armëmbajtje pa leje


Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë të martën e ka shpallur fajtorë Murat Jasharin, për tentim vrasje të Azem Vllasit dhe për armëmbajtje pa leje.

Ndaj Jasharit gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiastrik me ndalim në Institutin e Psikiastrisë Forenzike në Prishtinë.

Aktvendimi ndaj Murat Jasharit është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli.

Kjo masë, sipas gjykatësit Konxheli, do të fillojë të zbatohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.

Gjykata e ka obliguar institucionin përkatës të kujdesit shëndetësor, që ta njoftoj gjykatën me raport me shkrim mbi implementimin e masës dhe gjendjen shëndetësore të Murat Jasharit.

Gjykatësi Konxheli njoftoi se ky raportim nga institucioni përkatës, duhet të bëhet së paku një herë në gjashtë muaj, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas gjykatësit, kjo masë do të jetë në fuqi deri në pushimin e rrethanave për të cilat është ajo është shqiptuar, bazuar në raportet dhe ekzaminimet e Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Po ashtu, gjykata mori vendim edhe për konfiskimin e përhershëm të pistoletës dhe të një karikatori, të cilën e ka poseduar pa lejen e organit kompetent Murat Jashari.

I akuzuari Murat Jashari është liruar nga shpenzimet procedurale, ashtu që këto shpenzime bien në barrë të buxhetit të shtetit.

Me aktvendim të veçantë, Murat Jasharit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktvendimi.

Paraburgimi do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

Por avokatja e Jasharit, Fehmije Gashi tha për Albanian Post se do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Ajo tha se kanë pritur që klienti i saj do të lirohet e jo të dënohet, pasi sipas saj Jashari vuan nga sëmundja skizofrenike e cila është sëmundje e përhershme.

“Ne kemi pritë që Murat Jashari do të lirohet, pasi Prokuroria e kishte konstatuar që Jashari në kohën e kryerjes së veprës penale ndaj Azem Vllasit ka qenë me paaftësi mendore, duke u bazuar në ekspertizën e mjekëve në Kosovë të cilët janë bazuar në ekspertizën e mjekëve zviceranë”, potencoi ajo.

Ndryshe, Gjykata e Apelit në korrik të vitit të kaluar e kishte kthyer në pikën zero rastin e njohur si “Syri i Popullit”, dhe pas rigjykimit, PSRK-ja kishte paraqitur propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm ndaj Murat Jasharit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore