Kosova

Mungesa e targës po dëmton bizneset


Oda e Afarizmit në Kosovë

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), i është drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, të hënën, më anë të një shkresë, duke shprehur shqetësimin e saj për mos furnizimin e makinave, kamionëve dhe mjeteve transportuese me targa të reja.

OAK, shprehet se kjo po i rëndon dhe i dëmton bizneset vendore. Prandaj ata kërkuan që të ofrohet një zgjidhje për bizneset.

“Bizneset vazhdimisht janë duke u ankuar për mos pajisjen e mjeteve transportuese me targa, edhe pse ato po obligohen t’i kthejnë tabelat e vjetra që janë me KS, mirëpo nuk po furnizohen me të reja”.

Sipas OAK, bizneset vazhdojnë me sigurimin e automjeteve, duke i kthyer tabelat me KS, pasi nuk po furnizohen me tabela të reja RKS. Dhe kjo si pasojë, nuk i lejon mjetet të dalin jashtë kufinjve të Kosovës.

Sektori i transportuesve, ka një kohë të gjatë, që po përballet me disa sfida, të cilat rrjedhin nga mos anëtarësimi i Kosovës në Konventën e Transportit Ndërkombëtar të Mallrave (TIR). Përballja me mungesën e targave vetëm se e rëndon funksionimin e tyre dhe të qenit konkurrues në treg.

E gjitha kjo është një pengesë e madhe ndaj bizneseve vendore për të qarkulluar jashtë vendit.  Prandaj OAK, kërkon që të ketë një zgjidhje të këtij problem, i cili është prezent dhe barrë e rëndë për bizneset, që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.

OAK-u, është një fryt i një analize të gjatë dhe të hollësishme të një grupi të afaristëve. Ky grup ka vënë re ngecje të madhe në fushën e të bërit biznes. Prandaj janë bashkuar për t’i dhënë shtytje pozitive fushës më të rëndësishme në vend. Synimi kryesor i tyre është rritja e ekonomisë së vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore