Lajme

“Mund të keni dyshime se sa është i mirë, por e keni pranuar Asociacionin?”, Abdixhiku, Kurtit


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të Kosovës pas fjalimit të kryeministrit, Albin Kurti ka akuzuar atë se ka pranuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me marrëveshjen e nënshkruar për targat në Bruksel më 23 nëntor.

“E keni pranuar Asociacionin. Mund të ketë dyshime se sa është i mirë, por e keni pranuar. Në marrëveshjen e parë që keni nënshkruar, zotoheni për implementim. Çfarë ndryshimi është ky?”.

Shpjegimet e Kurtit, për pyetjet e Abdixhikut ky i fundit i ka ndjerë si fjali pa prekje me realitetin.

“Kur dëgjon pozicionimet e Qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel, dy bota që s’përputhen me njëra-tjetrën. Kryeministri foli sot për siguri dhe luftë ndaj krimit, ndërsa sot mbi 17% e territorit të Kosovës është pa policë, pa prokurorë, pa gjykatës dhe pa shërbime bazë. Një dhunë familjare s’ka kush ta trajtojë në veri. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës?”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, “kjo është e vërteta kundrejt universit paralel që e krijoni ju”.

Kuvendi i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit është ftuar për interpelancë për “masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend”.

Kryesisht, ai është akuzuar për mosmenaxhim dhe paqartësi në veprim qeveritar.

Është akuzuar gjithashtu që për mungesë transparencë dhe lojë fjalësh, sidomos për çështjen e Asociacionit, të cilin Kurti dikur e kundërshtonte e opozita beson se ai tashmë veç e ka pranuar.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy vjet më vonë, të dyja palët (Kosova dhe Serbia) ishin pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore