Shqipëria

Muaji mars 2022 – rekord të ardhurash nga doganat në krahasim me 2021-in


Në bilancin e fundit të bërë publik nga Administrata Doganore e Republikës së Shqipërisë, gjatë muajit mars 2022 vihet re një rritje e grumbullimit të të ardhurave, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Konkretisht gjatë muajit mars janë realizuar rreth 30 për qind më shumë të ardhura – rreth 4.2 miliardë lekë (rreth 40 milionë dollarë) – në krahasim me marsin e 2021-it.

Ndërsa, duke e krahasuar me muajin shkurt të të këtij viti, vërehet një rritje prej 15 për qind më shumë të ardhura – 2.4 miliardë lekë më shumë.

Sipas të dhënave zyrtare, doganat shënuan rekord në mbledhjen e të ardhurave gjatë muajit mars 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë që prej vitit 2013.

Sakaq, të dhënat statistikore treguan se realizimi i të ardhurave për muajin mars 2022 ishte në vlerën prej 18.6 miliardë lekë.

Në vijim, duke u krahasuar me planin prej 16.5 miliardë lekë, realizimi i të ardhurave për muajin mars ishte 120%, ose rreth 2.1 miliardë lekë më shumë – rreth 21 milionë dollarë.

Ndër të tjera u arrit në përfundimin se taksa doganore është realizuar me rreth 130 milionë lekë më shumë, akciza neto ishte 165 milionë lekë kryesisht nga rritja e importit të cigares, TVSH me 3,6 milionë lekë më shumë dhe renta me 315 milionë lekë më shumë se plani.

Të ardhurat e vitit 2021

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, më 18 janar të 2022-shit, ka bërë me dije se të ardhurat nga doganat për vitin 2021 kapën vlerën e 1.9 miliardë dollarëve.

Kështu duke tejkaluar edhe planin fillestar me 240 milionë dollarë më shumë.

Sipas Ministrisë, ky rekord historik ka ardhur si pasojë e “miradministrimit në zhdoganimin e sasive të rritura të importeve dhe rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare”.

Të dhënat zyrtare treguan se të ardhurat për vitin 2021 janë realizuar në masën 193.2 miliardë lekë nga 169.05 miliardë lekë të planifikuara.

“Duhet vlerësuar se janar-dhjetor 2021 ka realizmin më të lartë të çdo 12-mujori në historinë e doganave, duke kaluar edhe të ardhurat e 12-mujori të vitit 2019”, shkruhet në raport.

Sipas tij, në krahasim me rritjen totale të fluksit të importit, rritja e të ardhurave nga çmimet e rritura të importit zë vetëm 21% të rritjes totale të vlerës statistikore, ndërkohë që 79% e rritjes së të ardhurave vjen si rrjedhojë e miradministrimit.

Ministria ka bërë me dije se këto janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar te çdo taksë, krahasuar me një vit më parë.

Ajo njofton se ka pasur 1,2 miliardë lekë më shumë nga rifillimi i importit të mallrave me origjinë jashtë BE-së.

Akciza prej 7.1 miliardë lekësh ka ardhur përgjithësisht nga rritja e importit të karburantit me 3.4 miliard, rritja e importit të cigareve dhe disa produkteve tjera.

TVSH-ja, krahasuar me 12-mujorin 2020, ka dhënë rreth 30.8 miliardë lekë më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore