Lajme

MSH për vdekjen e pacientit në QKUK: Jemi në pritje të raporteve, vlerësimi u takon organeve kompetente


Ministria e Shëndetësisë.

Pas Prokurorisë dhe Odës së Mjekëve të Kosovës, edhe Ministria e Shëndetësisë thotë se ka aktivizuar mekanizmat në varësinë e saj për rastin me pacientin që ka vdekur dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje për Albanian Post, ka thënë se akoma janë në mbledhjen e të dhënave lidhur me këtë rast.

“Ministria e Shëndetësisë është njoftuar për rastin dhe ka aktivizuar mekanizmat në varësinë e saj. Inspektorati Shëndetësor, në bazë të kompetencave ligjore është në fazën e mbledhjes së të dhënave lidhur me rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për AP.

Tutje është sqaruar se, “vlerësimi i përgjegjësive u takon organeve kompetente, andaj jemi në pritje të raporteve zyrtare të këtyre organeve”.

Foto nga përfundimi i operacionit nga kirurgu Kushtrim Shala.

Ndërkaq, kanë pohuar se për gjetjet do të merren masa sipas ligjeve në fuqi.

“Për çdo gjetje nga institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë do të merren masat sipas ligjeve në fuqi”.

Një kërkesë të ngjashme e ka pasur ministria edhe ndaj institucioneve të drejtësisë dhe Odës së Mjekëve të Kosovës.

Edhe, Oda e Mjekëve të Kosovës, ka nisur hetimet për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala dhe drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, pas vdekjes së pacientit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin me pacientin që vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një operacioni të rrallë në zemër.

Lajmin për Albanian Post, se pacienti ka ndërruar jetë e kishte konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

Brahimaj, tha se “rasti do të hetohet”, ndërsa “masat do të ndërmerrën konform rregulloreve në fuqi”.

“Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Do të ndërmerren masa konform rregulloreve”.

Drejtori sqaroi se mjeku ka qenë vetë përgjegjës për operacionin, por që nuk e ka pasur përvojën.

“Ka qenë vetë kujdestar, personi vetë vendos për çfarë operacioni dhe çfarë lloj operacioni dhe të nesërmen raporton për punën që ka bërë, masat mund të ndërmerren nëse ka pasur shkelje që s’ka qenë konform me rregulloren dhe kodin profesional”.

I përfshirë në këtë rast ka qenë edhe kirurgu Endrit Shala.

Thirrje që ky rast të trajtohet me seriozitet ka bërë edhe Kryetari i Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore