Lajme

MSH për Albanian Post: Ndryshimi i masave anti-COVID është në diskutim me ministritë e tjera


Ilustrim.

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të rasteve me COVID-19, kjo ka bërë që të diskutohet ndryshimi i masave anti-COVID me komitetin për menaxhimin e pandemisë si dhe ministritë e tjera të Qeverisë.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, këshilltari politik në Ministrinë e Shëndetësisë, Drin Podrimqaku.

“Dje është mbajtur takimi i Komisionit këshillëdhënës për masa dhe më pas i Komitetit për Koordinim dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, ku janë ofruar rekomandimet e ekspertëve shëndetësor në përballjen me COVID-19”, deklaroi Podrimqaku për AP.

Ndërsa, shtoi se masat janë duke u diskutuar edhe me ministritë e tjera.

“Ato po diskutohen me ministritë e linjës dhe hisedarët e tjerë dhe masat do të kalibrohen konform zhvillimit të situatës epidemiologjike”.

Ministria e Shëndetësisë.

Në anën tjetër më gjashtë janar, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos injorohen komunat sa i përket konsultime në lidhje me gjendjen e pandemisë COVID-19.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se nuk janë ftuar si anëtarë Komitetit anti-COVID.

“Nga ky Asociacion kanë thënë se nuk janë ftuar si anëtarë të Komitetit anti-COVID, dhe se me këtë kuptojnë se janë përjashtuar përsëri nga ky Komitet”

Duke shtuar se, “si gjithnjë, edhe këtë herë komunat kërkojnë qasje konstruktive nga Qeveria e Republikës së Kosovës kundruall nivelit lokal. AKK është rikthyer në këtë komitet me vendim të ish ministrit Arben Vitia”.

Ata kanë apeluar që Qeveria e Kosovës të ftoj komunat e Kosovës në takime.

“Komunat e Republikës së Kosovës edhe një herë ftojnë Qeverinë e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë dhe sinqertë sepse numri i rasteve me COVID 19 është në rritje dhe një injorim i tillë i komunave është i pajustifikueshëm”.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe zyrtarë nga nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim

Me pesë janar, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar për zero persona të vdekur dhe 107 persona të infektuar nga COVID-19.

Ndërsa, një ditë më parë, më 4 janar në Kosovë kishte 108 raste të reja me COVID-19.

Më 26 dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, lajmëroi se janë identifikuar 9 raste të variantit Omicron të SARS-COV-2 në Kosovë.

Variantet e COVID-19.

Prej këtyre rasteve të identifikuara, dy janë raste të ardhura nga ShBA, 2 nga Londra, një nga Franca, dhe katër nga Mitrovica të cilët mohojnë të kenë udhëtuar jashtë vendit ose të kenë pasur kontakte me dikë nga jashtë, njofton IKSHPK.

Ngjashmëritë e shenjave klinike të variantit Omicron dhe gripit stinor janë pothuajse të përafërta.

Mirëpo a mjaftojnë dy vaksinat antiCOVID edhe për varianin Omicron?

“Jo, dy vaksina nuk janë të mjaftueshme për variantin Omicron. Gjithsesi, duhet edhe doza përforcuese në mënyrë që të krijohet një imunitet i qëndrueshëm për përballjen me Omicron”, ka thënë infektologu Salih Ahmeti për Albanian Post.

Ahmeti ka thënë se doza e tretë ose siç njihet ndryshe si doza përforcuese, rrit së paku për 25 herë nivelin e mbrojtjes dhe se vaksina antiCOVID është vaksina e vetme kundër variantit Omicron.

“Zakonisht doza e tretë e rrit nivelin e antitrupthave së paku për 25 herë. Vaksina antiCOVID është vaksinë e duhur edhe për variantin Omicron”, spjegon Ahmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore