Lajme

MSH në takim me kryetarët e komunave, diskutojnë për situatën me pandeminë COVID-19


Ilustrim, Prishtina gjatë pandemisë

Ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, gjatë së enjtes së shtatë tetorit do të mbajë një takim me përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku pritet të diskutohet për masat e reja anti-COVID.

Kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, për Albanian Post, ka thënë se ky takim do të nis në orën 14:00.

“Do të takohemi me u.d. së ministres së shëndetësisë, presim të diskutojmë për situatën me pandeminë COVID-19”.

Ndërkaq, masat e reja anti-COVID, të prezantuara nga ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, patën hyrë në fuqi të hënën e 27 shtatorit.

Ai në një konferencë për media pati thënë se që nga e hëna do të fillojë edhe mësimi për të gjitha nivelet parauniversitare.

Në këtë deklaratë, ai bëri të ditur se parakusht për fillimin e mësimit, është që 20 nxënës të jenë prezentë në klasë.

“Procesi mësimor e arsimit parauniversitar zhvillohet sipas skenarëve përkatës. Parakusht për prani fizike është prania e 20 nxënësve nëpër klasë”, është shprehur ai.

Vitia gjithashtu, theksonte se gastronomisë i lejohet puna, por, vetëm 50 për qind e shfrytëzimit të hapësirave të brendshme, teksa shtoi se të gjithë klientët dhe stafi i lokaleve duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19.

“Gastronomia nga data 27 shtator lejohet të shfrytëzojë hapësirat e mbyllura deri në 50 për qind e kapaciteteve të hapësirës, kurse në hapësirat e hapura deri në 70 për qind të kapaciteteve”, pati thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore