Lajme

“MSH-ja me probleme serioze në menaxhimin e buxhetit”


Instituti Demokratik i Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një analize të procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020-2022 ka thënë se ka probleme serioze në menaxhimin e parasë publike.

Kështu ka theksuar Diana Metushi Krasniqi nga ky institut.

“Përkundër rritjeve të vazhdueshme të buxhetit për sektorin e shëndetësisë, auditimi i pasqyrave  financiare të MSh-së nxjerrë në pah probleme serioze në menaxhimin e parasë publike, ku kjo Ministri gjatë vitit 2021 kishte shpenzuar vetëm 54% të buxhetit të saj, e që ishte një ulje prej 9% kundrejt shpenzimeve të një viti paraprak”, deklaroi ajo.

Ndërsa, ka shtuar se pacientët gjatë kohës se pandemisë kanë blerë vet barnat, madje me çmime të larta.

“Për tenderin për furnizim me oksigjen, ShSKUK nuk ka lidhur kontratë me OE që kishte ofertuar 10 centë më lirë se kontrata e cila ishte në zbatim, me arsyen se ka rënë kërkesa. MSh ka lidhur marrëveshje me UNOPS për menaxhimin e projektit 22638 GoK Kosovo Emergency”.

Takimi i KDI-së.

‘Nga Unops janë blerë më shtrenjtë produktet se sa nga ShSKUK dhe MSh. MSh ka dështuar të sigurojë me kohë dhe sasi të mjaftueshme remdesivirin. Ndërsa, qytetarët janë detyruar të shpenzojnë dhe të blejnë vet”.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi bëri të ditur se për çmimet abuzive të barnave, kishin dërguar shkresa në polici dhe te Autoriteti për Konkurrencë.

“Sa i përket fryrjes së çmimeve, sekretari i përgjithshëm në startin ka adresuar dy shkresa të policisë dhe kryetarit të autoritetit për konkurrencë. Raportet e Zyrës Kombëtare te Auditimit nuk kanë raportuar pasqyrat financiare, sipas këtij raporti”, ka deklaruar Bardiqi.

Sipas deputetit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ky raport tregon për mostransparencë.

“Kemi barna shumë të shtrenjta sesa remdesiviri që janë blerë. Gabimet tjera të cilat janë bërë kanë hyrë në protokoll të trajtimit”.

I të njëjtit mendim si Dreshaj, u shpreh edhe Bekim Haxhi nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Është abuzuar prej dorezave te dezinfektueset e deri te thasët e kufomave. Ky raport argumenton të gjitha ato keqpërdorime. Janë dy marrëveshje me UNOPS, ku qytetarët duhet ta paguajnë UNOPS-in për shërbimet, ne paguajmë një shumë të lartë. Në fillim ka qenë 3,4 për qind e tashmë paguajmë 7,4 për qind për procedurat e prokurimit. Në 63 raste mungon raporti i pranimit të mallit”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në takimin e parë të Komitetit kyç për përcaktimin e listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore ka kërkuar që lista e barnave esenciale të bëhet me kompetenca profesionale e shkencore.

Një veprim duhet ta bëjë qeveria që t’i ulë ndjeshëm çmimet e barnave në Kosovë – por nuk po e bën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore