Lajme

MPJD ia ndalon hyrjen në Kosovë Ministrit Udoviçiç


Ministri për Rini dhe Sport në Serbi Vanja Udoviçiç

Ministria e Jashtme dhe Diasporës nuk ia ka aprovuar kërkesën ministrit të Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiç për hyrjen në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur për Albanian Post, MPJD përmes një përgjigje të shkurtë me shkrim.

“Ju konfirmojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar kërkesen e ministrit të Qeverisë serbe për të hyrë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Që Kosova i ka ndaluar hyrjen ministrit serb e ka bërë të ditur edhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, përmes një statusi në Facebook shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili ka thënë se autoritet në Kosovë pa dhënë ndonjë arsye të fortë kanë refuzuar kërkesën e tij për të hyrë në territorin e Kosovës.

“Autoritetet në Kosovë përmes një njoftimi në mesnatë  kanë ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës ministrit të Rinisë dhe Sportit Vanja Udoviçiç. Ai duhej të fliste sot në Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme të Mitrovicë, për t’iu dhënë atyre bursa studentëve dhe më pas do të vizitonte Qendrën për Zhvillim Ekologjik dhe Sporte në Zubin Potok, por autoritet e Prishtinës pa dhënë ndonjë arsye refuzuan vizitën e tij dhe qëndrimin e tij në Kosovë”, ka shkruar Petkoviç.

Ai ka akuzuar institucionet e Kosovës, që sipas tij, janë duke vepruar në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Këto pengesa dhe ndalime nuk do të na ndalojnë të vazhdojmë ndihmën tonë për njerëzit në provicën jugore. Madje edhe më fuqishëm do të avokojmë për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe me të mirë për mbijetesën e tyre në Kosovë. Vizita e ministrit ishte në përputhje me të gjitha procedurat e marrëveshjes për vizitat zyrtare dhe në kohë. Ne do t’i informojmë të gjitha institucionet ndërkombëtarë për sjelljen arrogante të Prishtinës” ka shkruar mes tjerash ai.

Për refuzimin e kërkesës së ministrit Udoviçiç për të hyrë në Kosovë, kanë raportuar edhe mediat serbe.

Sipas Tanjug, Udoviçiq pritej që të ishte pjesë e një tryeze para të rinjve serbë në Mitrovicë, ku do t’u fliste rreth bursave dhe më pas plani i tij ishte që ta vizitonte Zubin Potokun.

Albanian Post ka kontaktuar zyrën për informim me publikun nga kryeministria, për të kuptuar arsyet e këtij refuzimi por nuk kanë qenë të qasshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore