Kosova

MPJ e Gjermanisë për Albanian Post: Heiko Mass vjen nesër në Kosovë


Të enjten në Kosovë do të qëndrojë për një vizitë zyrtare ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e zyrës federale të jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, me anë të një përgjigje me shkrim.

“Ministri i Jashtëm Federal Maas planifikon të udhëtojë për në Prishtinë, Kosovë më 22.04.2021”, tha ajo.

Sipas Adebahr, shefi i diplomacisë gjermane do të takohet me krerët e shtetit të Kosovës për të diskutuar për tema të ndryshme.

“Në kuadër të vizitës së tij ai do të zhvillojë biseda me Presidenten, Kryeministrin dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës”, shtoi Adebahr.

“Pikërëndesat tematike të vizitës do të jenë çështjet e marrëdhënieve bilaterale, përafrimi me BE-në, si dhe dialogu për normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë.”

Ndryshe, ministri gjerman për Evropë, Michael Roth ka thënë se Gjermania do të angazhohet edhe më tej me vendosmëri për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Roth në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se shpreson që në Bashkimin Evropian së shpejti do të arrijnë një vendim për këtë.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e ardhshme do të udhëtoj në Bruksel për t’u takuar me përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, drejtoresha për komunikim në zyrën e Kurtit, Valbona Mehmeti.

Por, ajo e ka mohuar se Kurti do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që po ashtu pritet të ketë takime me përfaqësues të BE-së në javën e ardhshme.

“Kryeministri Albin Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim mes kryeministrit Kurti dhe zotit Vuçiç”, tha Mehmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore