Lajme

MPJ e Francës për situatën në Veri: Kosova dhe Serbia duhet të ndalojnë rritjen e tensioneve


Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ka reaguar nëpërmjet një cicërime në rrjetin social Twitter për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, pas asistimit të Policisë për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e komunave të Zveçanit, Leoposaviqit dhe Zubin Potokut.

Nga MPJ-ja franceze deklaruan se “Kosova dhe Serbia duhet të ndalojnë rritjen e tensioneve dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

“E ardhmja e Evropës varet së pari nga ndjenja e përgjegjësisë dhe përkushtimi ndaj paqes”, shkroi MPJ-ja Franceze në Twitter.

Këto komente ata i bënë pasi që e shpërndan deklaratën e QUINT-it për situatën në Veri.

Përmes një komunikate për media nga QUINT thanë se “ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje”.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”.

“Ne dënojmë sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan”.

Ndërkaq, përveç kritikave në drejtim të Kosovës nga QUINT-i kritikuan edhe Serbinë, e cila ngriti gatishmërinë e Ushtrisë Serbe në kufirin me Kosovën.

“Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse”.

Për situatën e krijuar në Veri të Kosovës kanë reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe Bashkimi Evropian, duke kritikuar kështu veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Nga DASH kanë bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, DASH i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,  “që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.

Ndërsa, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media u tha se “BE-ja dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kanë thënë nga BE-ja.

Ndërkaq, theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore