Kulturë

Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar do të restaurohet nën programin EU4Culture


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka njoftuar se në maj të 2021-shit do të nisin punimet për restaurimin e mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, kishës së Shën Marisë në Rubik dhe kishës së Shën Ndojit në Kepin e Rodonit.

“Programi EU4CULTURE është gati për të ngritur kantieret e para”, shkruante ministrja në Facebook.

Margariti u shpreh se “gjatë takimit të radhës së këshillit drejtues të programit vendosëm për afatet e fillimit të punimeve. Në bashkëpunim të ngushtë me UNOPS, do të zhvillohen projektet e rijetëzimit për 10 sitet e para prioritare, për të cilat pritet të fillojnë punimet së shpejti”.

“Falë mbështetjes së Bashkimit Europian, jo vetëm po mbyllim plagët e tërmetit, por do t’u japim jetë monumenteve dhe hapësirave përreth. Më shumë mundësi, më shumë shpresë. Shqipëria është e ardhmja jonë”, tha Margariti.

Mbledhja u zhvillua dhe nën praninë e ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca.

Së fundmi, monumentet e kulturës kanë qenë në fokusin e ministrisë përkatëse, duke marrë masa për ruajtjen e tyre, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore për t’u kthyer në destinacione të denja për t’u vizituar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore