Sport

Mourinho: Finale e shkëlqyer, por arbitri dukej si të ishte spanjoll


Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka komentuar humbjen e mbrëmshme ndaj Sevilla-s në finalen e Ligës së Evropës.

Në intervistën e tij pas ndeshjes me “Sky Sport”, Mourinho tha: “Sonte ne ‘vdiqëm’ nga lodhja mendore dhe fizike, ka kaq shumë episode për të folur. Pa trofeun në duar, ne jemi të lodhur, por krenarë”.

“Mund të humbisni një lojë, por kurrë profesionalizmin tuaj. Kam fituar pesë finale dhe kam humbur këtë, por kurrë nuk kam qenë më krenar se sa jam sonte. Djemtë i dhanë të gjitha”, shtoi trajneri portugez.

“E vërteta është se të gjithë jemi shumë të trishtuar, me apo pa qarë, e vërteta është kjo. Do të kthehemi në shtëpi të vdekur nga lodhja dhe të vdekur për shkak të shfaqjes së padrejtë të arbitrave sonte”, shtoi Mourinho.

Mourinho vazhdoi duke akuzuar arbitrin, derisa tha se anglezi dha më shumë kartonë të verdhë për ekipin e tij.

“Lojë e madhe, finale e shkëlqyer, intensive, e ashpër, e gjallë, por arbitri dukej spanjoll. Shumë kartona të verdhë për ne, atëherë ai nuk i jep Lamela-s të verdhën e dytë duke e lejuar atë të ekzekutojë një penallti në fund”, tha “The Special One”.

Mourinho foli më pas edhe për të ardhmen e tij te Roma.

“E ardhmja ime? E kam seriozisht, kam thënë para disa muajsh që nëse do të kisha kontakt me ndonjë klub tjetër do t’ia thosha pronarëve, nuk do të bëja asgjë fshehurazi”, theksoi Mourinho.

“Unë fola me klubin në dhjetor kur Portugalia pyeti për mua, deri më tani nuk kam folur me askënd sepse nuk ka asnjë ekip me të cilin kam folur”.

“Nuk mund të them objektivisht se do të qëndroj. Kam edhe një vit kontratë me Romën, situata është e qartë”, tha mes tjerash Mourinho.

Kujtojmë që finalja e mbrëmshme e Mourinho-s ishte finalja e parë e humbur evropiane, pasi që portugezi i ka fituar pesë të tilla.

Në anën tjetër, Roma nuk ka asnjë gjasë për të arritur në Ligën e Kampionëve përmes Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore