Lajme

Motra e Kim Jong-un paralajmëron se Paqësori mund të kthehet në ‘poligon qitjeje’


Koreja e Veriut ka lëshuar dy raketa balistike në brigjet e saj lindore të hënën e 20 shkurtit, ka deklaruar ushtria e Koresë së Jugut.

E gjitha vjen teksa motra e liderit të Veriut, Kim Jong-un, ka paralajmëruar se shteti i armatosur me armë bërthamore mund ta kthejë Paqësorin në një “poligon qitje”.

Testet e shtynë kreun e partisë në pushtet në Korenë e Jugut të paralajmëronte se provokimet e vazhdueshme nga Pheniani vetëm sa do të forconin thirrjet për Jugun për të zhvilluar parandalimin e tij bërthamor.

Një veprim ky që do të rriste në mënyrë dramatike tensionet në gadishull.

Sakaq, nisjet vijnë vetëm dy ditë pasi Koreja e Veriut gjuajti një raketë balistike ndërkontinentale në det në brigjet perëndimore të Japonisë, duke nxitur stërvitje të përbashkëta ajrore nga SHBA-të dhe Koreja e Jugut.

Motra e Kim Jong-un, Kim Yo-jong, paralajmëroi kundër pranisë së shtuar të aseteve strategjike të SHBA-ve në gadishullin Korean pasi SHBA-të mbajtën stërvitje të përbashkëta ajrore me Korenë e Jugut dhe veçmas me Japoninë të dielën.

“Ne po shqyrtojmë me kujdes ndikimin që ai do të ushtronte në sigurinë e shtetit tonë”, ka thënë ajo në një deklaratë të raportuar nga media shtetërore.

“Frekuenca e përdorimit të Paqësorit si poligon të qitjes varet nga karakteri i veprimit të forcave amerikane”, ka shtuar ajo.

Ekziston një mbështetje e fortë publike për idenë e armatosjes së Koresë së Jugut me armë bërthamore, pasi shqetësimi rritet për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë nga Koreja e Veriut.

Një sondazh i Gallup-it muajin e kaluar tregoi se 76 për qind e të anketuarve thanë se vendi duhet të zhvillojë parandaluesin e tij bërthamor – tre herë më shumë sesa e kundërshtuan idenë.

Ndërkohë, media shtetërore e Koresë së Veriut konfirmoi se vendi kishte gjuajtur dy predha nga një raketë e shumëfishtë, duke synuar objektivat 395 kilometra dhe 337 kilometra larg.

Ndërsa Ministria japoneze e Mbrojtjes ka thënë se dy raketat balistike të lëshuara arritën një lartësi maksimale prej rreth 100 kilometra dhe 50 kilometra, duke udhëtuar një distancë prej rreth 350-400 kilometra përpara se të binin jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

Në një deklaratë, ministria ka deklaruar se do të vazhdojë të mbledhë dhe analizojë informacione në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të.

“Ne kemi zotëruar teknologji dhe aftësi të kënaqshme dhe tani do të fokusohemi në rritjen e sasisë së forcës së tyre”, ka vijuar Kim Yo-jong.

Ndërkaq, lëshimi i raketës është testi i tretë i madh i armëve i Veriut këtë vit dhe vjen pasi Pheniani kërcënoi me një përgjigje “të paprecedentë dhe të fortë”, ndërsa Koreja e Jugut dhe SHBA-të përgatiteshin të fillonin stërvitjet vjetore ushtarake që Veriu i konsideron si një provë për një pushtim.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore