Auto

Motorhome-i luksoz i udhëtimeve


Dembell, kompania gjermane e përkushtuar në prodhimin e makinave të kampingut, sapo ka prezantuar modelin më të fundit tejet luksoz të quajtur Motorhome.

Kjo makinë është krijuar me kujdes posaçërisht për ata që duan të shijojnë një pushim me pesë yje mbi katër rrota.

E përditshmja italiane, “Corriere della Sera”, zbulon se struktura e makinës është e montuar në një shasi Mercedes me tre boshte, ndërsa ambientet e brendshme janë projektuar nga Azimut Yachts.

Brendia e Motorhome është akoma dhe më tërheqëse.

Aty të pret një kuzhinë e denjë për një shef kuzhine të mbushur me pajisje Miele, një televizor 55 inç në dhomën e gjumit, ku ndodhet edhe një krevat me madhësi mbretërore dhe përqark një sistem tingulli të duhur për një dhomë kinemaje.

Kuptohet, rehatia e ka një çmim, një çmim: blerja e një Motorhome kërkon afro  dy milionë dollarë. Por për ata që e kanë një Ferrari në garazh, mund të mos jetë problem.

Brendia e dizajnuar nga Azimut Yachts

Hyrja te hapësirat e makinës luksoze të kampingut, do të përngjajë me atë të një jahti me dizajn italian.

Zgjedhja e materialeve është e klasit të parë dhe ndarja e hapësirave është projektuar në atë mënyrë që të mos i lërë asgjë rastësisë. Luksi qëndron në zgjedhjet e vogla që e bëjnë automjetin unik.

Madje, blerësit mund të vihen lehtësisht në dilemë mes zgjedhjes së tre toneve të ndryshme për ambientet e brendshme, nga më e lehta në më të errëtën.

Dhoma kryesore e gjumit

Dhoma e gjumit është e pajisur me çdo komoditet, ngjashëm si të jetë pjesë e një hoteli me pesë yje. P

Aty zë vend shtrati me madhësi mbretërore, pastaj një televizor 55 inç nga i cili mund të shihen programe dhe seriale televizive.

Gjithashtu gjendet edhe një gardërobë e madhe dhe një hapësirë ​​tjetër pas krevatit për të ruajtur sende të dobishme udhëtimi.

Kurse pranë dhomës ka një tualet, me një dush të vërtetë, veshje guri dhe pajisje sanitare prej qeramike.

Ngrohja nën dysheme

Surprizat e Motorhome nuk përfundojnë me kaq.

“Sistemi i ngrohjes është si ai i një shtëpie të vërtetë. Ka si në dysheme ashtu edhe përmes radiatorëve të vegjël të shpërndarë në të gjithë strukturën”, shkruhet në faqen e kompanisë.

Për më tepër, karvani është i pajisur me një sistem të paneleve diellore për të përdorur energji të rinovueshme gjatë udhëtimit.

Hapësira për dhomën e ndenjes

Pas dhomës së gjumit vjen një hapësirë ​​për t’u çlodhur me familjen ose shoqëruesit e udhëtimit.

Ajo është një dhomë e madhe që shtrihet midis zonës së vozitjes dhe tualetit, ku gjendet një divan prej lëkure dhe një tavolinë. Përfshihen edhe dy karrige shtesë për t’i shtuar në tryezën e kafesë.

Dyshemeja është e gjitha prej druri. Ndërkohë, sistemi stereo nga Bose, kompleton orenditë e dhomës së ndenjes.

Vendet me masazh të integruar

Katër ndenjëset e makinave me ajër të kondicionuar, me sistemin e ajrit të integruar për të siguruar rehati dhe parandaluar lodhjen, janë në dispozicion për udhëtarët në zonën e përparme të automjetit.

Përveç kësaj, sediljet kanë një funksion masazhi të integruar për freskim të shpejtë në çdo kohë për të gjithë pasagjerët.

Në fund kuzhina, e pajisur plotësisht me pajisjet Miele, ku ka edhe një rubinet që “zhduket” në banakun e punës me një gjest të vetëm.

Dizajn i jashtëm minimal

“Kemi fshehur të gjitha kornizat, pjesët e spikatura, dritaret dhe madje edhe dorezat e dyerve. Gjithashtu përdorëm menteshat e fshehura për ta bërë këtë model sa më shumë minimal që të jetë e mundur”, ka dalluar kompania.

Dhe kjo duket qartë nga imazhet e Motorhome. Vërehet linja shumë e thjeshtë dhe kompakte, pa asgjë të papërshtatshme.

Shtesa?

Motorhome mendon edhe për ata që duan të marrin me vete një motoçikletë ose biçikletë.

Marrja e tyre nuk përbën problem pasi makina ofron gjithë hapësirën e nevojshme për një transport luksoz.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një makinë të vogël si Smart-i, i cili do të udhëtojë së bashku me pasagjerët pa u shqetësuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore