Shqipëria

Moti keq, probleme në disa qytete


Mot i keq, shoqëruar me reshje të dendura shiu ka shkaktuar përmbytje  në disa qytete të Shqipërisë.

Qytetet më problematike rezultojnë Lezha dhe Shkodra.

Në Lezhë 1200 hektarë  tokë bujqesore janë përmbytur, ndërsa niveli ujit ka arritur deri në 30 centimetër në  lagjet Besëlidhja dhe 11 Janari.

Reshjet e shumta kanë bërë që në Vlorë niveli i lumit Vjosë të rritet mbi 6.3 metra mbi nivelin e detit.

Si pasojë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur një pjesë të pazarit pranë urës së Mifolit në Vlorë.

Dhjetëra hektare tokë ndodhen nën ujë edhe në fshatrat Fushë Gjuricë, Fushë Kërtushaj, Fushë Kapedanë etj.

Në Shkodër rruga e Obotit është e pakalueshme për shkak të lartësisë së ujit 60 cm.

Gjithashtu, Autoriteti Rrugor  Shqiptar (ARRSH) , ka dhënë njoftim mbi gjendjen e akseve kombëtare nga veriu në jug të vendit.

Në njoftimin zyrtar thuhet se në veri të vendit ka pasur reshje bore gjatë natës, teksa rrugët Dedaj-Razëm dhe Bajram Curri, Valbonë janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa problem.

E njëjta situatë edhe me segmentet Fushë-Arrëz-Kukës dhe Kalimash-Fushë Dukagjin ku ka pasur rënie gurësh në rrugë prej shiut, por qarkullimi vijon normalisht.

Sa i përket rajonit jugor, rënie gurësh ka pasur në akset Berat-Çorovodë dhe Patos-Ballsh.

Edhe në këto akse qarkullimi vijon pa probleme pas ndërhyrjes për pastrimin e rrugëve./AlbanianPost.com

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore