Lajme

Moti i keq në Texas: Biden shpall gjendjen e katastrofës


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka shpallur gjendje katastrofe në Texas, duke hapur rrugën për më shumë fonde që të shpenzohen në përpjekje të ndihmës në shtetin amerikan.

Energjia elektrike po rikthehet në Texas, temperaturat janë rritur, por ende rreth 14 milionë njerëz kanë vështirësi në furnizimin me ujë të pastër.

Gati 60 vdekje kanë ardhur si pasojë e motit të ftohtë në SHBA. Administrata ka shpalluir gjendje të jashtëzakonshme për Texas-in, së bashku me Oklahoma-n dhe Luisiana-n.

Në një deklaratë në Teksas lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha se ai kishte “urdhëruar ndihmë federale për të shtuar përpjekjet e rimëkëmbjes së shtetit në zonat e prekura nga stuhitë e forta të dimrit”.

Sipas Biden-it, ndihma do të përfshijë grante për strehim të përkohshëm dhe riparime shtëpish, kredi me kosto të ulët për të mbuluar humbjet e pronave të pasiguruara dhe programe të tjera për të ndihmuar individët dhe pronarët e bizneseve të rikuperohen nga efektet e katastrofës.

Disa shtete në jug të goditur nga stuhitë e borës, kanë raportuar për ndërprerje të ujit. Moti i dimrit ndërpreu ujin në qytetin e Jackson, Misisipi me rreth 150 mijë banorë, si dhe qarkun më të madh në Tenesi që përfshin qytetin e Memfisit, me më shumë se 651 mijë banorë.

Pse moti i ftohtë shkaktoi ndërprerje?

Ndërprerja e energjisë elektrike në Teksas, e cila ka lënë miliona pa energji, ndodhi për disa arsye.

Gjithçka fillon me stuhinë e dimrit që filloi më 13 shkurt, e cila shkaktoi motin më të ftohtë që shteti ka përjetuar që nga viti 1989.

Moti i ftohtë ngriu puset e gazit natyror dhe bllokoi tubacionet. Ngriu turbinat e erës dhe grumbujt e qymyrit.

Përkundër asaj që kanë thënë disa politikanë të shtetit, ndërprerjet nuk ishin kryesisht faji i turbinave të erës së ngrirë. Ishte kryesisht një problem me gazin natyror, i cili është burimi kryesor i energjisë i shtetit.

Rrjeti energjetik i shtetit jug-perëndimor u mbingarkua nga një rritje e kërkesës për nxehtësi ndërsa temperaturat ranë me 18 gradë.

Rreth 80 mijë shtëpi janë ende pa energji elektrike. Mes temperaturave të ngrirjes, rreth 3.3 milionë shtëpi dhe biznese ishin pa energji.

Afër gjysma e popullsisë së shtetit janë përballur me disa ndërprerje të shërbimeve të ujit pasi qindra sisteme uji janë dëmtuar nga ngrirja.

Austin, kryeqyteti i shtetit, humbi 325 milion gallons (1.2 miliard litra) ujë kur plasën tubat.

Ndryshimet klimatike

Texas ka insistuar të ketë rrjetin e vetë të furnizimit me pak lidhje në dy rrjetet e tjera që furnizojnë SHBA-në me energji elektrike.

Amerika pritet që të përballet me ngjarje ekstreme të motit në dekadat e ardhshme, ndaj do të bëjë që kërkesa për energji elektrike të rritet dhe të bjerë rregullisht dhe, nga ana tjetër, të shkaktojë ndërprerje.

Në Kaliforni ngrohja e klimës  ka rritur gjasat që linjat e energjisë të shkaktojnë zjarre. Kështu që Pacific Gas & Electric (PG&E), i cili menaxhon rrjetin e Kalifornisë, ka vendosur për ndërprerjen e energjisë për të parandaluar këto zjarre.

Ndërprerjet kanë prekur në mënyrë disproporcionale njerëzit me të ardhura të ulëta që nuk kanë mundësi të kenë gjeneratorë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore