Shqipëria

Moti i keq – Rruga e Kombit me rrezikshmëri kalimi


E gjithë Shqipëria është përfshirë nga moti i keq prej orëve të para të mëngjesit, ku temperaturat kanë arritur vlera minimale deri në -17 gradë Celsius dhe problematika janë shfaqur në disa akse rrugore, për kalimin e mjeteve.

Një situatë jo e lehtë është edhe ajo në Rrugën e Kombit, ku kompania Albanian Highway Concession, konktraktore e mirëmbajtjes së segmentit, u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit në këtë aks dhe të respektojnë sinjalistikën.

Dëbora, sipas njoftimit, është e pranishme në segmentin Fan-Kolsh, pjesë e autostradës Milot-Morinë. Gjithsesi, ajo aktualisht është e pastruar dhe pa probleme.

Por, duke parë situatën, një apel për drejtuesit e mjeteve nuk ka munguar.

Thirrja kryesore, është ajo e qarkullimit me shpejtësi të reduktuar. Po ashtu, edhe respektimi i sinjalistikës rrugore dhe kujdesit të shtuar për tabelat elektronike dhe mesazhet që ato përcjellin.

Lëvizja me goma dimërore ose me zinxhirë është e detyrueshme për çdo mjet.

Gjithashtu, një numër telefoni i linjës së gjelbër, është në gatishmëri për shoferët, të cilët hasin probleme.

Raportime për bllokim rrugësh ka pasur edhe në aksin Korçë-Pogradec, ku për mbi dy orë u krijuan radhë kilometrike për shkak të gjendjes së rënduar të rrugëve.

Me ndihmën e Policisë së Shtetit, lëvizja u lehtësua në aks, por trafiku mbeti i rënduar.

Po ashtu, edhe një pjesë e Rrugës së Arbërit, paraqiste rrezikshmëri të lartë për qarkullim. Kjo bëri që i gjithë aksi të mbyllej dhe të këshillojë kalimi në segmente të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore