Shqipëria

Moti i keq në vend, Mbrojtja: Situata është nën kontroll


Pasi i gjithë territori i Shqipërisë është përfshirë nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe moti tërësisht i paqendrueshëm, i shoqëruar me reshje bore dhe shiu, nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, bëhet me dije se situata është nën kontroll.

Sipas njoftimit të fundit, të gjitha strukturat në qarqet e rrezikuara të vendit, janë koordinuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile.

Njoftimet e marra nga qendrat e largëta, tregojnë se reshjet e dendura të borës kanë rreshtur. Kështu, duke e bërë situatën më të kontrollueshme.

Në disa akse të vendit, kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Këtu përfshihet edhe rruga e Arbrit, e cila mbeti e mbyllur për orë të tëra, për shkak të ngricave në disa segmente. Rihapja e saj u bë e mundur mëngjesin e 22 janarit.

E bllokuar është rruga Peshkopi-Lurë, por lëvizja mund të kryhet në aksin Lurë-Rrëshen.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar gjenden në terren po ashtu, për lehtësimin e lëvizjes në gjithë segmentet problematike.

Po ashtu, nga Operatorit i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, po punohet për kthimin e rrymës në disa zona, ku ka mungesë të saj.

Në Kalanë e Dodës, Reç, Lurë dhe Selishtë të Bashkisë Dibër, po vijon puna për kthimin e energjisë. Probleme janë raportuar edhe në njësinë administrative Lunik të Bashkisë Librazhd.

Sakaq, sipas parashikimeve të meteorologëve, priten ulje të mëtejshme të temperaturave, mbi të gjitha në zona të thella malore.

Apeli vijon për të treguar kujdes në qarkullimin rrugor si edhe për të ndjekur këshillat e autoriteteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore