Lajme

Mostrat e rastit Dehari: “Dikujt i ka konvenuar të bëhet publik lajmi, pa e konfirmuar nëse ka mundësi të gjinden përmes inventarizimit”


Ilustrim

Humbja e 15 epruvetave me gjak, një e urinës dhe një e lukthit, në rastin e Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, u bë skandal në vete për institucionin dhe shtetin.

Rreth tre muaj e gjysmë pas deklarimit publik të Ministres së Drejtësisë se këto mostra nuk janë më në IML, disa prej tyre u gjetën.

Një burim brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë për Albanian Post, se ai dhe disa të tjerë brenda institucionit nuk kishin besuar fare që ato mostra kanë dalë nga laboratori i toksikologjisë.

“Deklaratën para ministres edhe në hetuesi e kam dhënë që fillimisht është dashur të krijohet një komision për inventarizim e mandej nëse nuk kishim mujt me i gjetë, me dal në publik e me tregu”, ka thënë zyrtari i IML-së, i cili për shkak të ndjeshmërisë së rastit aktualisht, dëshiron të mbetet anonim.

“Nuk jam i vetmi qe kemi mendu kështu, mirëpo dikujt i ka konvenuar me bë publik lajmin akoma pa e konfirmuar nëse ka mundësi me u gjetë ato përmes inventarizimit”, vazhdon më tej burimi.

“Jemi duke bashkëpunuar me hetuesit policorë në mënyrë që të zbardhet gjithçka”, thotë burimi brenda IML-së.

“Të gjithë zyrtarët e IML-së janë të interesuar të zbardhet njëherë e përgjithmonë kjo storie e rëndë”, përfundon ai.

Mostrat e humbura të Astrit Deharit, janë gjetur pasi që ka filluar procesi i inventarizimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Se ky proces ishte duke ndodhur në IML, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Flamur Pireva, përmes postës elektronike, kur ka njoftuar redaksinë e Albanian Post se nuk lejohet xhirimi brenda hapësirave në këtë laborator e as IML, pasi që “është duke u bërë inventarizimi i mostrave në laborator të toksikologjisë”.

Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte dalë në një konferencë për medie, duke treguar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti”, kishte njoftuar Haxhiu.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Haxhiut, ishin vërejtur në momentin kur mostrat nga frigoriferët e vjetër janë bartur në frigoriferët e rinj.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit. Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”.

Po atë ditë, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i kishte thënë Albanian Post se tashmë Prokuroria ka nisur hetimet për rastin Dehari, pas konferencës së ministres së Drejtësisë.

“Tashmë me këtë rast është duke u marrë prokuroria”, kishte thënë shkurt Kelmendi.

Me vendim të ministres Haxhiu, ishin pezulluar nga puna 4 zyrtarë të Institutit të mjekësisë Ligjore. Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Nardi Sheqergjiu, toksikolog, Anila Lakna, teknike dhe Ilirjana Shala, kimiste.

Dy muaj pas rastit, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, në një konferencë për medie kishte treguar se laboratori i toksikologjisë monitorohet nga kamerat e sigurisë dhe ato ekzistojnë.

Duke kërkuar që për këtë rast prokuroria të intervistoj kryeministrin Albin Kurti, ministren Albulena haxhiu e zyrtarë të tjerë.

Më 19 shkurt, Komisioni i Ankesave brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) kishte marrë vendim që personat e suspenduar në rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, të kthehen në vendin e tyre të punës.

Ndryshe, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore