Lajme

“Mostrat e Astrit Deharit”, deputetja e LDK-së: Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë s’mund t’i falet asnjë sekondë


Ilustrim

Sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, Qeverisë së Kosovës e sidomos Ministrisë së Drejtësisë nuk mund t’i falët asnjë sekondë për të vërtetën mbi zhdukjen e mostrave të gjakut të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, nga frigoriferët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ai është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e gjakut të Astrit Deharit.

Prandaj i njëjti ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të intervistojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun e disa anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore monitorohet 24 orë nga kamerat, dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”.

Mu për këtë arsye, deputetja Kica-Xhelili, ka kërkuar transparencë për rastin e Deharit.

“Qeverisë e sidomos Ministrisë së Drejtësisë nuk mund t’i falet ASNJË sekond më tepër për çdo ditë që kalon pa këtë të VËRTETË! Njësoj vlen për Institutin e Mjekësisë Ligjore e Prokurorinë. KU janë mostrat? KU janë inçizimet? KUSH e ka ndërmend të jap përgjegjësi në këtë vend pa cinizëm përçarës politik?”, ka pyetur fillimisht ajo.

“Kjo mungesë e transparencës; kjo gjuhë përçarëse e kjo mungesë absolute e dhënies së llogarisë po na lëndon demokracinë, hapur e me të gjitha dritat ndezur”.

Ndryshe për deklaratat e thëna mbi rastin e Astrit Deharit, Prokuroria Speciale do ta ftojë për intervistim deputetin, Haki Abazi.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ndër të tjera tha se “vendi për të dëshmuar është këtu dhe do ta thërrasim Haki Abazin të hënën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore