Shqipëria

“Mospërfillja” socialiste për zgjedhjet e 6 marsit


Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në Shqipëri, do t’u sigurojnë kandidatëve fitues një mandat, thuajse të papërfillshëm, 1-vjeçar.

Ndërsa në gjashtë bashkitë “nuk kishte shumë boshllëqe”, fokusi i këtyre zgjedhjeve është drejtuar, jo kah Partia Socialiste (PS).

Edhe pse ka mungesë të vëmendjes nga qytetarët, PS-ja është favorit.

I këtij qëndrimi është analisti politik, Preç Zogaj, i cili, për Albanian Post (AP) thotë se roli i kësaj partie është i madh, pasi Këshillat Bashkiakë janë kryesisht socialistë.

“Nënkryetarët e bashkive, përpos Shkodrës, janë socialistë, Këshillat Bashkiakë janë 100% socialistë, ndaj dhe vetë partia është favorite në këto zgjedhje të pjesshme”, shprehet analisti Zogaj.

Në nëntor të 2018-s, në përputhje me Kushtetutën, presidenti Meta shpalli me dekret mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor, të cilën e shfuqizoi më vonë, referuar shqetësimeve për sigurinë publike.

Meta nxori një tjetër dekret, më 27 qershor, duke përcaktuar si datë të zgjedhjeve vendore datën 13 tetor 2019, kur socialistët morën të gjitha bastionet.

Ndërsa në zgjedhjet e 6 marsit të 2022-shit, socialistët janë thuajse tërësisht mospërfillës në mënyrën sesi ata do të garojnë dhe kreu i të majtëve, Edi Rama, as që do ta fshehë këtë gjë.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

Kryesocialisti ka shprehur se do të futen në zgjedhje për të fituar, por “nuk do të japin gjithçka”.

Ndërsa, mbrëmjen e 10 shkurtit, Rama u shpreh se me funksionarët e PS-së, do të korret fitore në të gjashta bashkitë ku garohet më 6 mars.

“Patronazhistët janë në terren, kanë nisur punë dhe do të kemi rezultat shumë pozitiv në zgjedhjet e pjesshme”.

PS-ja në këto zgjedhje të pjesshme, cilësohet nga analisti Artan Hoxha, si “kalorës në ikje”.

“Ata janë si kalorësi që është kaluar”, thotë ai duke cituar dhe një shprehje, “mos i qaj hallin kalorësit që i varen këmbët”.

Favorit në këto zgjedhje, socialistët i bën dhe përçarja në kampin kundërshtar.

“Kemi një qeveri që bën ç’të dojë, por jo të jetë nën presionin e një opozite intensive. Kjo sepse opozita është e angazhuar me krizën e saj të brendshme”, shprehet Hoxha për AP-në.

Qytetarët janë të shqetësuar për protagonistët e skenës politike shqiptare, e cila është dyzuar mes asaj zyrtares dhe ish-zyrtares.

Nga njëri kah kemi liderin zyrtar të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, i cili ka dorëzuar pranë KQZ-së dhe gjashtë kandidatët për gjashtë bashkitë që do shkojnë në zgjedhje lokale.

Ndërsa nga kahu tjetër kemi ish-kryetarin e PD-së, Sali Berisha, të cilin KQZ-ja ka refuzuar ta regjistrojë në zgjedhjet e 6 marsit.

Kreu i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha

Por, Berisha nuk do ta linte me kaq.

Ai do të shkojë në zgjedhje me dy parti të regjistruara, në përputhje kështu me legjislacionin e KQZ-së.

Bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) dhe Partinë Demokristiane, në një koalicion të quajtur “Shtëpia e Lirisë”, kandidatët e Komisionit të Rithemelimit garojnë hapur për gjashtë bashkitë.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Hoxha ka argumentuar se “kemi një demokraci, me një opozitë të përçarë”, e cila krijon “një handikap të madh për sistemin”.

Duke sjellë kështu, sipas tij, “mosfunksionimin e sistemit të demokracisë në vend”.

Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në gjashtë bashkitë e vendit nuk do të jenë e një rëndësie të veçantë.

Edhe pse një vit ka mbetur deri në rinovimin e mandatit të tyre, këto zgjedhje janë “me pak djallëzi”.

Për Zogajn, 6 marsi ka tjetër qëllim.

“Zgjedhjet lokale do të shërbejnë si testim për shqiptarët, për të parë nëse do t’i votojnë apo përkrahin individët apo koalicione të shpallura non grata nga Amerika”.

Shpallja non grata, sipas analistit, është “një instrument”, që aleatët strategjikë po e përdorin “për të inkurajuar drejtësinë”.

Gjithashtu dhe për të goditur pandëshkueshmërinë në sferat e larta.

Duke vijuar me argumentimin, analisti thotë për AP-në se, “këta votues, në gjashtë qytete do të reflektojnë me votë për këtë vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Do të shihet nëse shqiptarët do të votojnë kundër pandëshkueshmërisë, do të votojnë për zhvlerësimin e instrumentit non grata të SHBA-së, apo për dekurajimin e drejtësisë”.

Por, a janë shqiptarët me këtë betejë?

Analisti Preç Zogaj shprehet optimist.

“Shumica dërrmuese e zgjedhësve nuk do t’i bien me shkelm shansit të tyre që aleati strategjik po e përdor për të mirën e Shqipërisë”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme.

Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, duke dekretuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore