Lajme

“Moskoordinimi me SHBA-të është akt antishtetar”, thotë Abdixhiku pas reagimit të DASH-it


Lumir Abdixhiku

“Moskoordinimi me aleatë – në veçanti me SHBA-të – është thjesht akt antishtetar”, ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas kritikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në drejtim të Qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për situatën e krijuar në Veri, ku Policia asistoi që kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të vendosen në zyrat e tyre.

“Kujt i shërben kjo politikë? Kujt i shërben një Kryeministër si ky?”, pyeti Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.

Ai vazhdoi pyetjet e tij: Kush përfiton kur Kosova i dhuron Serbisë të gjithë aleatët e saj?”, dhe vazhdoi të thotë se “ky s’mund të jetë çmimi ynë”.

Ndërkaq, kreu i LDK-së theksoi përsëri se është në mbështetje të Policisë së Kosovës për shërbimin e tyre në Veri, por moskoordinimin me aleatë nga kryeministri Kurti e konsideron si një “theqafje” për Kosovën.

“Në kërkesë të paalternativë për koordinim të ngushtë me aleatë. Politika e matur, politika me miq, është rruga e vetme e Kosovës. Gjithçka tjetër çon në theqafje; ku dhe jemi nisur me një Kryeministër si ky!”, shtoi ai.

Ndryshe, në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit u kundërshtuan masat e marra nga qeveria e Kosovës, dhe i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës që menjëherë t’i ndalojë këto veprime, pasi që siç thonë ata do të ketë pasoja në marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.

Reagon Blinken: E dënojmë fuqishëm aksionin e Qeverisë së Kosovës, Kurti të ndalet

Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian ka reaguar për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuar atje, ku kryetarët e zgjedhur janë futur brenda objekteve të Komunës me asistencën e Policisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media u tha se “Bashkimi Evropian dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kanë thënë nga BE-ja.

Ndërkaq, theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore