Lajme

Moska thotë se ‘mercenarët’ izraelitë po luftojnë në Ukrainë, reagon Podolyak


Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, pretendoi se mercenarët izraelitë po luftonin së bashku me Regjimentin Azov në Ukrainë.

Kjo, duke nxitur më tej tensionet me Izraelin pasi Rusia sugjeroi se Adolf Hitler kishte “gjak hebre”.

“Mercenarët izraelitë janë praktikisht krah për krah me militantët e Azov në Ukrainë”, u shpreh Zakharova për radion Sputnik.

Mikhail Podolyak, këshilltar i kreut të Zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky, komentoi menjëherë deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse për “mercenarët izraelitë” të dyshuar në Ukrainë.

Ai postoi komentin përkatës në Twitter.

“Ministria e Jashtme ruse tha se mercenarët izraelitë po luftonin përkrah nazistëve Azov. Në prill u arrestuan 3.5 tonë kokainë në Estoni, e cila u kontrabandua në Rusi. Duket se mungesa e kokainës i detyroi punonjësit e Ministrisë së Jashtme të përdornin diçka më të rëndë”, vuri në dukje ai.

Azov u bë i njohur në vitin 2014, kur aktivistët e tij të së djathtës ekstreme morën armët për të luftuar separatistët pro-rusë në rajonin lindor të Ukrainës të Donbas-it.

Ata kanë luftuar së bashku me ushtrinë ukrainase kundër trupave ruse, e cila më 24 shkurt nisi një fushatë ushtarake në vendin properëndimor.

Anëtarët e saj janë pjesë e rezistencës ukrainase në qytetin port të Mariupol-it, të izoluar brenda fabrikës së çelikut Azovstal kundër së cilës forcat ruse filluan një sulm të madh të martën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore