Lajme

“Mos ik” – ekspozita kundër largimit e të rinjve nga Kosova


Ekspozit e artistit Eroll Murati.

“Mos ik”, është mesazhi dhe koncepti multimedial, i konceptuar figurativisht në ambient të hapur dhe me dimensione monumentale nga artisti Eroll Murati.

Përmes kësaj thirrje artisti Murati, kërkon që të rinjtë e Kosovës të mos largohen për në vende të tjera.

Këtë ekspozitë ai e ka paraqitur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, përmes së cilës shfaqet preokupimi i realitetit të krijuar.

Në një bisedë për Albanian Post ai thotë se me largimin e të rinjve ishin përballur gjatë viteve 1990, kurse problemi i njejtë është edhe aktualisht.

“Largimi me të madhe nga Kosova dhe Ballkani nuk është ndonjë risi megjithatë duhet bërë përpjekje edhe nga aspekti artistik vizual për të ndaluar këtë ikje”.

“Shumica e të rinjve u larguan në fillim të viteve të 90-ta në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe në vende tjera të largëta të botës, kjo dukuri vazhdon edhe sot e kësaj dite, ku këta të rinjë gjejnë shtigje të reja jetese apo largimi i tyre bëhet për të siguruar një jetë më të mirë”, thotë Murati për AP.

Ekspozita e artistit Eroll Murati.

Ai tutje sqaron skulpturën e krijuar nga ai përmes së cilën synon që ky problem të paraqitet edhe në aspekte vizuale të ndryshme.

“Momenti konstruktiv është një arkitekturë e realizuar në të cilën sensacioni dhe refleksioni marrin pjesë në krijimin e një ndërgjegjeje të paparë hapësinore-kohore, jo abstrakte dhe thjeshtë mendore, por të drejtpërdrejtë dhe konkrete”.

Në vitin 2021, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë.

Sipas ASK-së, emigrimi është bërë për arsyeje të bashkimit familjar, martesë, gjetje e një vendi të punës dhe studime afatgjata.

Edhe në vitin 2020, atëherë kur në Kosovë kishte shpërthyer pandemia COVID-19, nga Kosova kishin emigruar mbi 8 mijë persona, në vitin 2019 mbi 34 mijë dhe në vitin 2018 mbi 28 mijë.

Destinacionet më të synuara të kosovarëve janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe SHBA-ja, Turqia dhe Kanadaja.

Të papunët kanë ikur moti, tash po ikin punëtorët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore