Lajme

Morën postin e kryetarit duke grumbulluar më pak se tre mijë vota


Ilustrim

Në gjashtë komunat e Kosovës, postin e kryetarit për të udhëhequr në katër vjetët e ardhme, kandidatët e fituan duke marrë më pak se tre mijë vota.

Derisa tre prej tyre arritën që të fitojnë qysh në raundin e parë për të udhëhequr komunën në të cilën garonin, tre të tjerë vazhduan garën duke kaluar në balotazh.

Morën postin e kryetarit duke grumbulluar më pak se tre mijë vota

Në listën e atyre që fituan pa shkuar fare në raundin e dytë të zgjedhjeve për të parin e komunës, është kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mehmet Ballazhi, i cili garoi për kryetar të komunës së Hanit të Elezit.

Ballazhit, iu nevojiten dy mijë e 561 vota për ta rrëzuar nga kryetari i Hanit të Elezit, kryetarin e deritanishëm, Rufki Suma, i cili po garonte si i pavarur.

Në garë me Ballazhin ishte edhe Sherif Berisha nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, Ballazhi arriti të korr fitore duke marrë 51.33 për qind të votave të përgjithshme.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve nuk shkoi as komuna e Ranillugut.

Katarina Ristiç-Iliç nga Lista Serbe ishte e vetmja kandidate për të drejtuar Ranillugun për katër vjetët e ardhme.

Ani pse nuk kishte kundër-kandidat, ajo nuk arriti të merr më shumë se dy mijë e 427 vota.

Ndërkaq, kësaj liste iu bashkëngjit edhe një komunë tjetër me shumicë serbe.

Nga tre kandidatët, Dragan Petkoviç, nga Lista Serbe, doli si më i votuari në këtë komunë, duke marrë 75.35 për qind të votave apo një mijë e 684 vota.

Ai la pas, kundër-kandidatët e tij, Nenad Cvetkoviç, dhe Jugoslav Jovanoviç, të cilët nuk arritën ta çonin garën në raund të dytë.

Në anën tjetër, edhe pse numri i votave nuk ishte më i lartë se i tri komunave paraprake, për tri komunat e tjera, (Junik, Mamush, Kllokot), gara u zgjatë edhe për një muaj.

Ilustrim

Kjo pasi që, kandidatët për kryetar të komunave nuk arritën të korrnin fitore qysh në raundin e parë.

Në komunën e Junikut, asnjëri nga kandidatët të cilët po garonin mes vete, nuk arritën të merrnin më shumë se dy mijë vota.

Ruzhdi Shehu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ani pse mori besimin e qytetarëve për të udhëhequr në këtë komunë, nuk arriti të grumbullojë më shumë se një mijë e 658 vota.

Megjithatë, ai la pas, Agron Kuçin, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili mori një mijë 424 vota.

Po ashtu, në komunën e Mamushës, Abdulhadi Krasniq, nga Partia Demokratike Turke në Kosovë, në raundin e dytë i mjaftuan një mijë e 629 vota për të drejtuar komunën.

Ai ishte në garë me Arif Butuç, i cili nuk mori më shumë se 949 vota.

Dhe, komuna që figuron në listën e gjashtë komunave që kryetarët u zgjodhën me më pak se tre mijë vota, është edhe Kllokoti.

Në këtë komunë, u zgjodh kryetar Vladan Bogdanoviç, nga Lista Serbe, me një mijë e 29 vota, duke lënë pas Strahinja Spasiç, me 838 vota.

Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit arritën të fitonin 17 komuna, derisa 21 të tjera vazhduan garën për në raundin e dytë të zgjedhjeve të cilat u mbajtën të dielën e 14 nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore