Sport

Morata show, Juventus-i ‘knock out’ Lazio-s


Juventus-i i Andrea Pirlo-s ka arritur të përmbysi rezultatin përballë Lazio-s, nga 0-1 në 3-1. Goli i Adrien Rabiot-it dhe dopieta e Alvaro Morata-s sollën tri pikët për vendasit.

Ndeshja u luajt në “Allianz Stadium” për llogari të javës së 26 në Serinë A. Pjesa e parë ishte më konkrete për Lazio-n dhe me bardhezinjtë që gabonin jo në pak raste edhe pasimet më të thjeshta.

Joaquin Correa përfitoi nga një pasim i gabuar i Dejan Kulusevski-t dhe ndëshkoi Juventus-in, në të 14 minutë. Golit të të cilit do t’i përgjigjej ai i Rabiot-it në minutën e 39. Francezi shënoi nga një pozicion disi i vështirë, pas asistit që i dha Morata.

Pjesa e parë e takimit u mbyll me shifrat 1-1.  Pjesa e dytë nisi me marsh tjetër për vendasit.

Morata realizoi golin e përmbysjes së rezultatit, në të 57 minutë pas asistit të Federico Chiesa-s. Tre minuta më vonë Aaron Ramsey pengohet në zonën laciale dhe arbitri akordon 11m.

Penalltinë e merr përsipër Morata, që nuk e ka të vështirë përballë bashkëkombësit të tij, Pepe Reina-s. Minutat e mbetura nuk prodhuan ndryshim rezultati.

Morata ishte lojtari i ndeshjes, me dy gola dhe një asist. Sipas Sofascore-s, spanjolli vlerësohet me notën 8.2. Sergej Milinkoviç-Saviç-i ishte më i dobëti në fushë, i vlerësuar me notën 6.

Me fitoren e arritur, Juventus-i është në ndjekje të Inter-it. Bardhezinjtë kanë 52 pikë, kundrejt 59 të ziklatrve, që ditën e hënë do të kenë përballë Atalanta-n. ndërsa Juventus-i ka një ndeshje më pak, atë kundër Napoli-t që do të luhet më 17 mars.

Lazio mbetet në vend të shtatë me 43 pikë dhe duket larg objektivit për zonën Champions. Megjithëesë janë edhe 12 javë për t’u luajtur dhe futbolli ka gjithmonë surpriza.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore