Shqipëria

Moneyval: Shqipëria, përmirësim në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit


Masat e marra nga Shqipëria për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit janë përmirësuar.

Kjo duke demonstruar përparim të mirë në nivelin e përputhshmërisë me standardet e FATF-së (Task Forca e Veprimit Financiar).

Ka qenë kjo deklarata e organit të Këshillit të Evropës kundër pastrimit të parave, Moneyval, në raportin e tij të fundit.

“Hapat pozitivë të ndërmarrë nga autoritetet rezultuan në përmirësimin e dy fushave që lidhen me transparencën dhe pronësinë përfituese të personave juridikë dhe rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare”, shkruhej në raport.

Ky i fundit shqyrtoi regjistrin e pronësisë përfituese të Shqipërisë dhe kërkesat për hyrjen në treg për institucionet financiare.

Moneyval ka rishikuar më tej një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të prezantuara në këto fusha.

Për shkak të kufizimeve procedurale, organi i Këshillit të Evropës nuk vlerësoi shkallën në të cilën masat janë zbatuar në mënyrë efektive në praktikë.

Zhvillime të tjera pozitive të vërejtura nga Moneyval përfshijnë miratimin e ligjit “Për regjistrin e pronarëve”, i cili ka krijuar mekanizmin e nevojshëm për marrjen dhe mbajtjen e informacionit të saktë dhe të përditësuar.

Gjithashtu, Shqipëria ka përmirësuar legjislacionin e saj për të garantuar saktësinë e informacionit bazë të personave juridikë të paraqitur në Regjistrin Tregtar dhe gjithashtu ka vendosur sanksione të reja për mospërputhje me kërkesat e regjistrimit.

Megjithatë, ato ende nuk konsiderohen proporcionale.

“Shqipëria ka ndërmarrë hapat e nevojshëm në fushën e licencimit të institucioneve financiare jobankare me synimin për të parandaluar kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre që të kenë (ose të jenë pronarë përfitues) të një interesi të rëndësishëm ose kontrollues, ose të mbajnë një funksion drejtues”, shkruhet në raport.

Aty theksohet se në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike, Shqipëria ka krijuar mekanizmat e nevojshëm për ekzekutimin e urdhrave të konfiskimit të huaj, ndarjen e aseteve të konfiskuara me vendet e huaja dhe dhënien e ndihmës për konfiskimet pa dënim.

Në përgjithësi – sipas Moneyval – Shqipëria ka përmbushur pritshmërinë e përgjithshme të Moneyval duke adresuar shumicën – nëse jo të gjitha – mangësitë teknike të pajtueshmërisë brenda tri viteve pas miratimit të raportit të vlerësimit të ndërsjellë.

Juridiksioni ka arritur përputhshmëri të plotë me shtatë nga 40 rekomandimet e FATF-së që përbëjnë standardin ndërkombëtar.

Ka ende mangësi të vogla në zbatimin e 29 rekomandimeve, ku Shqipëria është gjetur “në masë të madhe në përputhje”.

Vendi mbetet “pjesërisht në përputhje” me katër rekomandimet në lidhje me sanksionet financiare të synuara për financimin e përhapjes; teknologjitë e reja; transparencën dhe pronësinë përfituese të marrëveshjeve ligjore; dhe mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore