Përballje

Monaco rikthehet te fitorja, Bordeaux mposhtet me rezultat të thellë


Monaco është rikthyer te fitorja pas më shumë se një muaj, duke mposhtur në udhëtim skuadrën e Angers, me rezultat 1:3, takim ky i vlefshëm i javës së 16-të në ligën franceze.

Mysafirët e nisën mirë takimin, të cilët që në pjesën e parë shënuan dy gola me anë të Myron Boadu në minutën e 25-të dhe Sofiane Diop në minutën e fundit të pjesës së parë.

Vendasit më pas arritën të ngushtojnë epërsinë që në fillim të pjesës së dytë, përmes një autogoli të shënuar nga portieri mysafir, Alexander Nubel, kurse, në minutën e 73-të, Axel Disasi shënoi golin e sigurisë, për rezultatin përfunditar 1:3.

Me këtë fitore, skuadra e Monaco-s ngjitet në vendin e shtatë në tabelë, me 23 pikë, derisa Angers pozicionohet një vend më poshtë, me një pikë më pak.

Kujtojmë që suksesi i fundit i Monaco-s ishte më 24 tetor, ku mposhtën Montpellier-in, derisa gjatë kësaj periudhe ka marrë tre barazime dhe një humbje.

Ndërkohë, skuadra e Bordeaux vazhdon të jetë në krizë të thellë, teksa u mposhtën në udhëtim nga Strasbourg-u me shifrat 5:2.

Në fakt, mysafirët ishin ata që filluan më mirë takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e shtatë me jug-koreanin, Ui-Jo Hëang.

Por, vendasit më pas arritën të shënojnë tre herë në pjesën e parë, me golat e realizuar nga Thomasson, Gameiro dhe Ajorque.

Në pjesën e dytë, Strasbourg shënoi edhe dy gola me autorë Ajorque dhe Lienard, ndërsa Bordeaux arriti të ngushtojë shifrat me golin e shënuar nga Elis.

Pas kësaj humbje, Bordeaux gjendet në vendin e 18-të në tabelë, me 13 pikë, ndërsa Strasbourg ngjitet në pozitën e gjashtë, me 23 pikë.

Rezultatet e ndeshjeve tjera në Ligue 1, të zhvilluara nga ora 19:00:

Brest 1 – 0 St Etienne

Metz 1 – 3 Montpellier

Troyes 2 – 0 Lorient

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore