Përballje

Monaco – Lyon: Spektakël golash dhe përleshje në fund të takimit (video)


Ndeshja e fundit e javës së 35-të në Ligën e Parë franceze, e zhvilluar mes Monacos dhe Lyonit, dhuroi spektakël golash, por në fund nuk munguan as përleshjet.

Zakonisht këso përleshje masive mes futbollistëve, jemi mësuar t’i shohim në ligat e varfra të futbollit, por këtë të diele ndodhi në “Ligue 1”.

Ndesha filloi më mirë për vendasit e Monacos, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 25-të përmes Kevin Volland.

Në pjesën e dytë, mysafirët barazuan rezultatin me golin e shënuar nga Memphis Depay në minutën e 57-të.

Më pas futbollisti i Lyonit Caqueret, e la skuadrën e tij me një futbollist më pak në fushë, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë 20 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Pavarësisht që ishin me një futbollist më pak në fushë, skuadra e Lyonit arriti të kalojë në epërsi me golin e shënuar nga Marcelo në minutën e 77-të.

Por vetëm nëntë minuta më pas, portieri i skuadrës mike shkaktoi penallti duke e grushtuar lojtarin kundërshtar në zonë, ku më pas Ben Yedder u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe barazoi rezultatin në 2:2.

Dhe befasia ndodhi në fund të lojës, ku talenti 17-vjeçar i Lyonit, vetëm një minutë pas inkuadrimit në lojë, realizoi për rezultatin përfundimtar 2:3.

Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët e dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje fizike, nga e cila u ndëshkuan me kartonë të kuq Pietro Pellegrini dhe Willem Geubbels për skuadrën e Monacos dhe Marcelo e De Sciglio për Lyonin.

Me këtë fitore, skuadra e Lyonit pozicionohet e katërta në tabelë me 70 pikë, një më pak se Monaco që gjendet në vendin e tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore