Shqipëria

Momentet e përjetuara të ambasadorit Soreca, dy vite pas tërmetit


Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, në një intervistë televizive ka risjellë në vëmendje përjetimin e tij gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Dy vite pas kësaj ngjarje, Ambasadori Soreca tregoi se çfarë kishte përjetuar dhe se çfarë kishte bërë.

“Ashtu si gjithë shqiptarët, edhe unë u zgjova nga forca e tërmetit dhe m’u deshën disa sekonda për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Por pastaj e kuptova menjëherë se duhej të veproja”, tha ai.

Si fillim Soreca kishte komunikuar me Qeverinë e më pas ishte siguruar që në Shqipëri të vinin sa më shumë ekspertë të BE-së, inxhinierë, ekspertë të mbrojtjes civile, dhe sigurisht ndihmat e para, tenda, gjeneratorë, shtretër, batanije.

Pas këtij momenti, ai do të mendonte për hapin e radhës.

“Pastaj faza e dytë ishte përgatitja për rindërtimin dhe këtu më duhet të them se që më 16 dhjetor u krijua ekipi i parë i ekspertëve mes BE-së, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara për të përgatitur vlerësimin e nevojave pas katastrofës”, tha Soreca.

Ambasadori theksoi se vendimi i parë që mori Komisioni Evropian ishte dhënia e 15 milionë eurove Shqipërisë për nevojat imediate.

“Bashkimi Evropian, që do të thotë Komisioni Evropian, shtetet anëtare dhe Banka Evropiane e Investimeve, vendosën 400 milionë euro në këtë buxhet, nga të cilat Komisioni Evropian 115 milionë euro donacione”, tha ai.

Soreca ka ravijëzuar se situata është përmirësuar, por “ka ende punë për të bërë, ka ende njerëz që vuajnë pasojat e tërmetit”.

“Por gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar është se Bashkimi Evropian është këtu çdo ditë, duke e ndihmuar Shqipërinë në çdo krizë që kalojnë shqiptarët”, finalizoi deklaratën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore