Lajme

Molliqaj për Kurtin: Pushtetin për vete, përgjegjësinë (fajin) me tjerët


Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, konsideron se marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi është urgjente dhe se ajo “nuk ka alternativë”, mirëpo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sipas tij po dëshiron që pushtetin ta mbaj vetë ndërsa “përgjegjësinë (fajin) me tjerët”.

Ai vlerëson se vetëm një marrëveshje e tillë do ta prodhonte edhe një efekt i cili pamundëson forcimin e liderëve politikë kosovarë përmes projektimit të rreziqeve nga jashtë.

“Vonesa e zgjidhjes po i mbanë vendet të ngulfatura”, ka shkruar Molliqaj në rrjetin social Facebook.

“Ngjarjet e fundit lidhur me mbajtjen ose jo të referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës nuk përbëjnë risi, e as shancë për dëshmim të sovranitetit”, ka shkruar ai.

Ai vlerëson se vendet e banuara me serb në Kosovë, e veçanërisht pjesa veriore e vendit, janë të instrumentalizuar “në periudha të tilla” si nga ana e Vuçiçit, po ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tutje ka deklaruar se insistimi i Kryeministrit Kurti për koncensus është nevojë për shpërndarje të përgjegjësisë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj

“Sikur kjo të ishte qasja e përgjithshme e qeverisjes, do ta kishim parë në segmente e momente tjera, jo vetëm për dialog”, ka shkruar ai.

“Si u bë që në raport me pushtetin e brendshëm, ka bunkerizim dhe përqendrim pushteti, ndërsa në raport me temat nacionale – ndërkombëtare, shpërndarje të vendim-marrjes”.

Sipas liderit të PSD-së, qytetarët andej e këtej kufirit, kanë nevojë për rezultate që prekin jetën e përditshme në kuptimin e mirëqenies dhe marrëdhënieve mes popujve.

“Barazia duhet të jetë ajo që kornizon marrëveshjen përfundimtare”.

“Barrikadimi nuk është zgjidhje. Përkundrazi. Në kontekstin aktual politik, në dy vendet [Kosovë dhe Serbi] vetëm sa ushqen imazhet e liderëve autoritar. Efektet dhe tensionet e krijuara janë material për keqpërdorim”, ka shkruar Molliqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore