Lajme

Molliqaj paralajmëron protesta të reja : Të dëgjohet vullneti i qytetarëve


Dardan Molliqaj

Dardan Molliqaj, kryetari i Partisë Social Demokrate, i cili të shtunën e 29 janarit ka organizuar një protestë kundër shtrenjtimin të energjisë elektrike në Kosovë, përmes një statusi në Facebook ka thënë se vullneti i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe si rrjedhojë të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtim të rrymës.

Ai madje ka bërë të ditur se protestat kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike do të vazhdojnë deri sa një vendim i tillë të zmbrapset.

“Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë dhe prandaj në këtë situatë propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është i papranueshëm.

“Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit”.

Pamje nga protesta e organizuar nga PSD, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Ndryshe të shtunën e 29 janarit qytetarët të mllefosur kanë protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, kështu duke brohoritur “Albin rrenci”, “Albin mashtruesi”.

Në përfundim të protestës, qytetarë të revoltuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në mënyrë simbolike kanë gjuajtur qirinj dhe poqa elektrikë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Pas këtij aksioni, protestuesit janë shpërndarë të qetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore