Lajme

Molliqaj: Opozita kalkuloi gabimisht, kritika e ambasadave është jo-demokratike


Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Social-demokrate, Dardan Molliqaj, përmes një video-mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka tentuar të zbërthejë pse Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Gjermanisë po e kritikojnë opozitën për propozimin e Bashkimit Evropian.

Në radhë të parë, tha Molliqaj, ky pozicion kritik ndaj opozitës e qartëson se ekzekutivi është pajtuar më planin franko-gjerman, kurse në radhë të dytë, tregon që opozita ka kalkuluar gabim për interesa elektorale që Albin Kurti ose Qeveria e Kosovës nuk do ta pranojë këtë plan.

“Duke e pasur këtë analizë të gabuar, ata janë ofruar para bashkësisë ndërkombëtare duke e mbështetur fillimisht këtë plan dhe duke e mbështetur edhe themelimin e Asociacionit [të Komunave me shumicë serbe]”.

“Prandaj, sot kur ata kritikojnë planin dhe themelimin Asociacionit nga bashkësia ndërkombëtare quhen si lojëra politike, sepse e vërejnë se kundërshtimi nuk ka bazë parimore e as të vullnetit politik, por është një kalkulim politik”, shtoi Molliqaj.

Megjithatë, kreu i PSD-së kritikoi edhe përfaqësuesit e shteteve respektive.

“Por, nuk duhet të harrojmë që edhe kritika e ambasadave në Kosovë tash ndaj opozitës parlamentare është jo-demokratike. Ambasadat kanë të drejtë të mbështesin pikëpamjet e tyre politike, por është jo-demokratike të cenohet e drejta e shprehjes”, tha ai.

Ndryshe, dy partitë më të mëdha opozitare – Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike – vlerësojnë se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është në favor të Kosovës, pasi s’e ka njohjen reciproke në qendër, por formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kjo ka shqetësuar ShBA-në, që në një përgjigje me shkrim për mediat në Prishinë, kanë deklaruar se qëndrimet e partive më të mëdha opozitare në vend nuk përputhen me qëndrimet amerikane.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, tha një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore