Lajme

Molliqaj nuk e pranon kërkim faljen e Muratit, protesta vazhdon


Për kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, kërkim falja e ministrit të Financave, Hekuran Murati, në esencë është jo e sinqertë, dhe tepër e vonuar.

Është tepër vonë, pasi që sipas Molliqajt, Murati që nga publikimi i skandalit ka pritur rreth 2 ditë dhe rrjedhimisht ka bërë kalkulime për ta ruajtur vetën politikisht, prandaj protesta e paralajmëruar e PSD-së e thirrur 2 orë më parë që ka për qëllim shprehjen e indinjatës ndaj deklaratave të ministrit, i cili pati krahasuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me luftëtarë mercenarë, do të vazhdojë.

“Pendimi i vërtetë është dorëheqja. Shihni kalendarin: dy dite reagime në rritje dhe dy orë pas thirrjes së protestës, ministri Murati reagon. Tepër vonë për të qenë e sinqertë. Çdo kërkim falje ka qëllim amortizimin e revoltës. Dhe ruajtjen e vetës, kuptohet. Presioni nuk pranohet. Protesta vazhdon”, ka shkruar Molliqaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Hekuran Murati ka kërkuar falje për statusin e tij të vitit 2016.

Në atëbotë Murati kishte shkruar se “lufta ka zgjatur vetëm tre muaj” dhe se më mirë do ishte të paguanim mercenarë sesa t’u japim pensione veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por me një postim në Facebook ka bërë të qartë se nuk mendon ashtu, thjesht ishte i mllefosur me situatën e atëhershme.

“I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është qëndrimi im”, shkruan ai.

“Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve”.

Në fund, Murati pohon se “e pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”.

Ndryshe PSD-ja, përmes një konferencë për media ka bërë të ditur se më 6 korrik të mërkurën do të organizojë një protestë mbarë popullore kundër deklaratave të Hekuran Muratit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore