Lajme

Molliqaj: Nëse është e vendosur kjo Qeveri tërhiqet për rrymën, njëjtë siç bëri për stikersat


Dardan Molliqaj, Udhëheqës i PSD-së

Partia Social Demokrate është duke organizuar protestën e radhës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Duke folur rreth kësaj proteste e cila do të mbahet të shtunën, udhëheqësi i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se Qeveria edhe mund të tërhiqet nga qëndrimi që ka për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike të propozuar nga ZRRE, nëse ka vendosmëri për protesta.

Molliqaj tha se kjo qeveri do të tërhiqet pasi ka karakterin e saj populist, njejtë sic bënë për punën e stikersave të automjeteve.

“Kjo qeveri do të tërhiqet pasi ka karakterin e saj populist. Ne kemi qenë një grup i vogël për punën e stikersave, më pas ka pasur reagim qytetarë e pas kësaj këta janë tërhequr. Këta edhe tash janë duke parë si po shkon situata. Këta e shohin sa po vlon të shtunën për të vendosur të hënën”, tha ai në debat plus.

Kryetari i PSD-së thotë se duhet të rritet presioni pasi çmimi i rrymës do të prek qytetarët edhe në vitet tjera.

Ai tha se do të ketë aksione simbolike në protestë duke shprehur pakënaqësinë, por pa dhunë ndaj policisë.

“Sigurisht “kallja” më e madhe për Qeverinë do të jetë pjesëmarrja masive e qytetarëve” tha ndër të tjera Molliqaj.

Molliqaj bëri të ditur se në protestën e së shtunës do të jenë pjesmarrës përfaqësuesit e të gjitha partive opozitare në Kuvend e jashtë saj.

“Propozimin e ZRrE-së nuk e mbështesin as deputetët e partive në pushtet por që nuk shprehen publikisht për një gjë të tillë. Këtë e bazoj nga takimet e shumta që kam pasur ditëve të fundit me qytetarë, gazetarë e analistë. Sigurisht se ata nuk mund të shprehen për shkak të funksionimit të LVV-së”, tha ai.

Ai thotë se opozita do të duhej të ishte e bashkuar në këtë kauzë.

“Kam takuar zotin Abdixhiku këtë javë, kam takuar zonjën Çitaku, pasi kryetari Krasniqi ishte me COVID-19 dhe kam biseduar në telefon me zotin Haradinaj. Ka një dallim në opozitë për këtë çështje. Nga dy partitë e mëdha mendojnë se armiku më i madh i Kurtit është vet Kurti, unë nuk e besoj këtë. Ata mendojnë se ne duhet të qëndrojmë anash derisa qytetarët ta shohin se Kurti nuk bën”.

Molliqaj thotë pavarësisht këtyre dallimeve kanë kaluar mirë në takimet me partitë opozitare.

“Të gjithë mendojnë se propozimi i ZRrE-së është i papranueshëm”.

I pari i PSD-së thotë se nuk kanë qëllim ta sulmojnë vetëm Kurtin, por janë të detyruar ta bëjnë për shkak të pozitës që ka.

“le të largohet Albin Kurti nga politika, kurrë nuk do të flasim për të”, tha ndër të tjera Molliqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore