Lajme

Molliqaj: Kush dëshiron ta kuptojë VV-në, ju lutem përcilleni rastin e Astrit Deharit


Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Astrit Dehari ka ndërruar jetë në dorë të shtetit, dhe sipas tij, kjo është një arsye më shumë për të kërkuar deri në fund zbardhjen dhe sqarimin e çdo rrethane mbi vdekjen e tij, por sipas tij, “kush dëshiron ta kuptojë partinë në pushtet përmes një rasti, ju lutem përcjelleni rastin e Astritit”.

“Nuk ekziston edhe një ilustrim më i qartë për natyrën dhe përmasat e instrumentalizimit të një çështjeje sesa çfarë tha e bëri VV përmes këtij rasti. Emri i tij dhe vdekja e tij është përdorur për luftë të brendshme e të jashtme”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

“Tash që e kemi pushtetin e ri, të vërtetës për Astritin duhet t’i shkojmë deri në fund, por jo duke shpallur verdikte në krye të herës, të cilit ia nënshtrojmë provat pastaj. Anasjelltas është rruga drejt të vërtetës”.

Sipa tij, e vërteta duhet kërkuar dhe do ta kërkojmë, “por mënyra e trajtimit të këtij rasti ka nxjerrë në pah një të vërtetë tjetër, të vërtetën e VV-së”.

Molliqaj ka theksuar se “atëbotë Kurti dhe një grup rreth tij hynë në shpirtërat e njerëzve duke përdorur dhimbjen sikur ushujzat gjakun”.

“Është e vërteta sepse është kapërcyell drejt një faze të re. Është bash momenti kur garanca historike bëhet veç instancë legjitimuese, kurse shtysa për pushtet shtyn secilin kufi. Sakaq ajo zbraz prirjet e brendshme prej viryti brenda një subjekti”.

“Tash heshtin. Pushteti vazhdon. Kush po mërzitet për raportin e Institutit nga Zvicrra. Rasti i Astritit ka kryer punë”.

Më 12 prill, rezultatet e raportit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit, tregojnë se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij të Astrit Deharit”.

Astrit Dehari

Njoftimin për rezultatet e ekspertizës e ka dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se “më datë 01.04.2022, ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit”.

Sipas tyre, “raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe”.

“Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton: – Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore