Lajme

Molliqaj – Kurtit: Lëre inatin, plotësoje kërkesën e punëtorëve


Kryetari i Partisë Social Demokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka hallin te inati, pasi ky i fundit deklaroi se sulmi me miell ndaj ministrit të Financave Hekuran Murati nga aktivistët e PSD-së u bë për inati.

“Nuk e ka hallin te inati i kujtdo. Madje do të dëshironte të ishte veç inati, që sulmi që bëri të ishte më i pranueshëm në opinion”, ka shkruar në Facebook Molliqaj.

Por, sipas Molliqajt, “sikletin e ka që PSD vepron jashtë domenit të tij hegjemonik”.

“Opozitarizmi ynë nuk ndikohet dhe as frikësohet ndaj kërkesës së tij për dëgjueshmëri. Është e njëjta arsye pse i ka hipur në qafë sindikalistëve”.

Ai ka shtuar se Kurti, “aty ku nuk mundet t’i nënshtrojë përpjekjet mundohet t’i depolitizojë. Përpjekje e dështuar”.

“Sido që të jetë, zotëri kryeministër, lëre inatin, plotësoje kërkesën e punëtorëve”, ka porositur Molliqaj Kurtin.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë ditës së shtunë, është gjuajtur me miell, në një rrugë në Prishtinë. Aksioni simbolik ndaj ministrit të Financave është zhvilluar nga aktivistët e Partisë Socialdemokrate.

E sipas kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj, aksioni simbolikë është zhvilluar për punëtorët e sektorit publik të cilët –një pjesë e tyre – nuk kanë arritur t’i marrin pagat e muajit gusht.

“Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedentë që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë”, ka shkruar Molliqaj në rrjetin e tij social në Facebook të shtunën.

“Sulmohet” me miell Hekuran Murati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore