Lajme

Molliqaj: “Kjo Gjykatë është bërë për ta dënuar UÇK-në”


Dy ish luftëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë shpallur fajtorë me nga katër vjet e gjysmë, për publikimin e informacioneve të procesit të Gjykatës Speciale.

Por, sipas kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, dënimi s’kishte të bënte me atë që u tha në vendimin zyrtar, po me faktin se ta ishin pjesë e UÇK-së.

Siç shkruan Molliqaj në Facebook, është pikërisht kjo, dënimi i vet UÇK-së që përbën qëllimin kryesore të Speciales.

“Aktgjykimi dënues ndaj udhëheqësve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë as me të vërtetën. Asnjëra nga këto nuk mund të vijë nga Gjykata Speciale. Kjo Gjykatë është bërë për ta dënuar UÇK-në”, shkroi Molliqaj.

Molliqaj shtoi se nëse gjykata është krijuar nga parlamenti i Kosovës, atëherë, ajo duhet edhe të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës.

“Nëse kjo Gjykatë është e Kosovës, atëherë ajo mundet dhe duhet të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës. Nëse nuk është e mundur, duhet ta trajtojmë si invazion institucional”.

Gucati e Haradinaj janë shpallur fajtorë në disa pika, por jo edhe për pikën e aktakuzës “hakmarrje”.

Dënimi, nga gjashtë vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 4 vjet e gjysmë burgim.

“Të akuzuarit vazhduan të shpërndajnë në shkallë të gjerë informacionin e mbrojtur që përfshinte emrat e qindra dëshmitarëve të mbrojtur. Ata e bënë këtë në mënyrë të përsëritur dhe me entuziazëm”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në leximin e vendimit.

Dy krerët e OVL-së, do mbajnë dhe afërsisht dy vjet burg, pasi kanë qenë në paraburgim për dy vite e gjysmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore